Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa dy liderët pritet të takohen të shtunën në Shtetet e Bashkuara.
Këtë bëri të ditur për Dita Jonë në A2 CNN eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Egon Loli, sipas të cilit kjo do të thotë që Izraeli ka ende fuqi diplomatike për të kushtëzuar veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Iranin.
“Presidenti Trump do të takohet me Netanjahun dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike dy ditë më parë për këtë çështje dhe do të takohet ditën e shtunë me rastin e homazheve për ish-senatorin e ndjeër Lindsey Graham në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo do të thotë që Izraeli disponon ende fuqi diplomatike për të kushtëzuar veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Iranin, por edhe në raport me zhvillimet në Liban. Pra, nuk është i vendosur në kënd, ose në cep Izraeli”, u shpreh Loli në A2 CNN.
Ky takim vjen në një moment kritik të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, pas përshkallëzimit të sulmeve dhe kërcënimeve për goditje të reja. Eksperti Loli thekson se Trump po synon të arrijë një armëpushim me Iranin, duke përdorur presionin ushtarak dhe diplomatik për ta detyruar Teheranin të pranojë kushtet amerikane.
“Unë mendoj që presidenti Trump po synon që të arrijë një armëpushim dhe ta detyrojë Iranin që t'i bindet kushteve të tij. Sepse unë vazhdoj dhe besoj që përshkallëzimi i situatës nuk është në favor të presidentit Trump. Nuk është, sepse pasoja e parë e drejtpërdrejtë është rritja e menjëhershme dhe mjaft e ndjeshme e çmimit të naftës. Pra nëse Irani bllokon tërësisht dhe meqë ra fjala, dje është rivendosur sërish bllokada amerikane ndaj porteve iraniane. Por është Irani ai që ka vendosur bllokadën e brendshme të Gjirit të Hormuzit. Dhe nëse goditen rafineritë e naftës në vendet arabe, nëse vendoset dhe bllokada iraniane ndaj të gjitha anijeve të këtyre vendeve të transportit të naftës, kjo sjell rritjen e menjëhershme dhe të ndjeshme të çmimit të naftës dhe që kjo godet drejtpërdrejtë jo vetëm vendet perëndimore, por dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe unë nuk mendoj që me një situatë përpara zgjedhore, presidenti Trump ka interes që çmimi i naftës të rritet, se do të rriten dhe ushqimet”, theksoi ai.
Sipas Lolës, situata mbetet larg një marrëveshjeje, pasi mes dy vendeve vijojnë mosmarrëveshjet për çështje kyçe, si kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, programi bërthamor, raketat dhe ndikimi rajonal. Ai theksoi se skenari më i mundshëm është një “konflikt i ngrirë”, ku sulmet mund të vazhdojnë periodikisht, por pa një luftë totale, ndërsa palët mbajnë të hapur mundësinë e negociatave.
Duke folur për Izraelin, Loli tha se ai nuk është jashtë loje në këtë konflikt, por vijon të ketë ndikim diplomatik dhe ushtarak në zhvillimet me Iranin dhe në situatën me Libanin e Hezbollahun. Ai shtoi se çarmatimi i Hezbollahut dhe stabilizimi i kufirit Izrael-Liban mbeten procese shumë të vështira.
“Nga bisedimet e djeshme të Romës që janë të gjashtat në radhë mes Izraelit edhe Libanit është vendosur të paktën parimisht krijimi i disa zonave pilot brenda kësaj fashës izraelite, ku do të kemi tërheqjen e Hezbullahut dhe çarmatosjen e Hezbollaut, vendosjen e ushtrisë libaneze shtetërore dhe kontrollimin se sa kjo masë është relevante dhe e vërtetë dhe si përgjigje tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe kështu kjo do të përsëritet në disa zona tampon derisa Hezbollahu të konsiderohet që është çarmatosur i gjithi. Kjo është ajo se çarë synohet të arrihet dhe se çfarë pritet. Praktikisht kjo është shumë e vështirë. Praktikisht kjo është shumë e vështirë sepse hezbollau është shtet brenda shteti. Por edhe Izraeli ka arritur që të kap pothuajse 1/10-ën apo diçka më shumë të sipërfaqes së Libanit”. (A2 Televizion)