Turqia dislokoi 6 avionë lufte F-16 dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Qipron veriore të hënën, siç tha Ministria e Mbrojtjes, për të përforcuar sigurinë për komunitetin turk atje.
Ankaraja u zotua se do të marrë masa të mëtejshme nëse do të jetë e nevojshme, në vazhdën e luftës së SHBA dhe Izraelit, kundër Iranit. Fuqitë europiane kanë ndërmarrë hapa për të rritur praninë ushtarake në ishullin e ndarë etniksht, që kur Irani sulmoi me dronë bazën britanike të Akrotirit, javën e kaluar, shkruan A2.
Turqia nuk e njeh adminsitratën e Qipros greke, anëtare të BE-së në jug të ishullit dhe është i vetmi vend që njeh si shtet, Qipron turke në veri.
Presidenti i Qipros greke citohet nga gazeta Kathimerini të thotë se dërgimi i avionëve të luftës nga Turqia ishte një reagim i Ankarasë ndaj deklaratave të Europës se siguria e ishullit ishte një përgjegjësi e BE, ndërsa e përshkroi Turqinë si forcë pushtuese në Qipro.
Ndërkohë, lideri i Qipros turke Tufan Erhurman kritikoi deklaratat dhe tha se prioritet duhet të jetë siguria e të gjithë ishullit për të dyja komunitetet qipriote.
Omer Çelik, zëdhënës i partisë në pushtet të Erdogan, pohoi se dislokimi nuk synonte të shënjestronte askënd, kishte qëllime sigurie dhe të konsolidonte balancën e pushtetit në ishull. (A2 Televizion)