Autoritetet në Shtetet e Bashkuara vijojnë kërkimet për autorin e dyshuar të vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, disa orë pasi aleati i ngushtë i Donald Trump u vra gjatë një fjalimi në një universitet të Utah. Ngjarja nxiti reagime të ashpra nga të dyja kampet politike dhe kërcënime nga presidenti, përcjell A2 CNN. Trump e cilësoi si një moment të errët për Amerikën, “vrasjen e tmerrshme” të aktivistit të djathtë, duke e quajtur një besimtar të thellë.
Republikani denoncoi gjithashtu ndasitë politike në vend që kanë nxitur dhunën në Shtetet e Bashkuara dhe u zotua për kapjen dhe ndëshkimin e autorit dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në dhunë politike.
“Ka ardhur koha që të gjithë amerikanët dhe mediat të përballen me faktin se dhuna dhe vrasja janë pasojat tragjike të demonizimit të atyre me të cilët nuk pajtohemi, në mënyrën më të urryer dhe të përçmuar të mundshme. Kjo lloj retorike është drejtpërdrejt përgjegjëse për terrorizmin që po shohim në vendin tonë sot dhe duhet të ndalet menjëherë. Administrata ime do të gjejë secilin prej atyre që kontribuan në këtë mizori dhe dhunë tjetër politike, duke përfshirë organizatat që e financojnë dhe e mbështesin atë, si dhe ata që ndjekin gjyqtarët tanë, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe të gjithë të tjerët që sjellin rend në vendin tonë”, tha Trump.
Kirk u qëllua teksa fliste për një turmë prej 3 mijë personash në Universitetin Utah Valley, në Orem. Pamje të shpërndara në rrjet treguan 31-vjeçarin teksa i përgjigjej pyetjes së një pjesëtari të audiencës lidhur me dhunën nga armët e zjarrit, para se të qëllohej me një plumb të vetëm në qafë nga një snajper dhe të shembej përdhe.
Autori i dyshuar besohet se ishte pozicionuar në çatinë e një godine të kampusit dhe, pas aktit kriminal, u arratis. Panik përfshiu studentët e pranishëm, të cilët vrapuan mes pamjeve të tmerrshme të gjakut që shpërthente nga qafa e 31-vjeçarit, i qëlluar në arterien karotide. Kirk u transportua në një spital të afërt, ku edhe u shpall i vdekur.
Dy persona u vunë në pranga pas ngjarjes, por më pas u liruan pasi nuk u provua të kishin lidhje me vrasjen. Trump urdhëroi uljen në gjysmështizë të flamujve amerikanë deri të dielën, në nder të aktivistit.
Kirk dhe grupi i themeluar prej tij, Turning Point USA, organizata më e madhe e rinisë konservatore në vend, luajti rol kyç në sigurimin e mbështetjes së të rinjve për Trump në nëntor. Pjesë e një ekosistemi me ndikim pro-Trump, ai kishte 5.3 milionë ndjekës në “X” dhe drejtonte një podcast popullor dhe program në radio, The Charlie Kirk Show. (A2 Televizion)