Ish-kryeministri indian, Manmohan Singh ka vdekur në moshën 92-vjeçare, shkruan A2 CNN.
Sipas mediave të huaja, Singh ishte një nga kryeministrat më jetëgjatë të Indisë dhe ai u konsiderua arkitekti i reformave kryesore liberalizuese ekonomike, si kryeministër nga 2004-2014 dhe më parë si ministër i financave.
Ai ishte shtruar në një spital në kryeqytetin Delhi pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, thonë raportet.
Ndër ata që i bënë homazhe Singh të enjten ishte kryeministri Narendra Modi, i cili shkroi në mediat sociale se "India mban zi për humbjen e një prej liderëve të saj më të shquar".
Modi tha se "mençuria dhe përulësia e Singh ishin gjithmonë të dukshme" gjatë ndërveprimeve të tyre dhe se ai kishte "bërë përpjekje të gjera për të përmirësuar jetën e njerëzve" gjatë kohës së tij si kryeministër.
Priyanka Gandhi, vajza e ish-kryeministrit Rajiv Gandhi dhe një anëtare e partisë së Kongresit, tha se Singh ishte "vërtetë i mençur, me vullnet të fortë dhe i guximshëm deri në fund".
Vëllai i tij, Rahul, i cili drejton Kongresin, tha se ai "kishte humbur një mentor dhe udhërrëfyes".
Singh ishte lideri i parë indian që nga Jawaharlal Nehru që u rizgjodh pasi shërbeu një mandat të parë të plotë dhe i pari Sikh që mbajti postin kryesor të vendit. Ai kërkoi falje publike në parlament për trazirat e vitit 1984 në të cilat u vranë rreth 3,000 Sikh.
Por mandati i tij i dytë në detyrë u dëmtua nga një sërë akuzash për korrupsion që ‘mbërthyen’ administratën e tij. Skandalet, thonë shumë, ishin pjesërisht përgjegjëse për humbjen dërrmuese të partisë së tij të Kongresit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014.
Singh lindi më 26 shtator 1932, në një fshat të shkretë në provincën Punjab të Indisë së pandarë, të cilit i mungonte uji dhe energjia elektrike, shkruan A2 CNN.
Pasi ndoqi Universitetin Panjab ai mori një diplomë master në Universitetin e Kembrixhit dhe më pas një DPhil në Oksford.
Ndërsa studionte në Kembrixh, mungesa e fondeve e shqetësoi Singh. Vajza e tij, Daman Singh, shkroi në një libër për prindërit e saj. (A2 Televizion)