Pas një tjetër proteste të dhunshme në Tiranë, kryeministri Edi Rama prezanton paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, siç e cilësoi ai.
Si masë të parë, mes 6 të tillave, Rama njoftoi një akt normativ për dëmshpërblimin e biznesit të vogël të dëmtuar, ndërsa, sipas tij, shteti do të mbulojë nga 70% deri në 100% të dëmeve, në varësi të rastit, shkruan A2.
Pjesë e paketës është edhe ligj i ri sipas modelit francez “Kush thyen, paguan”, me gjoba deri në 500 mijë lekë të reja për shkeljet e parashikuara. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia financiare do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve, sipas rregullave që do të përcaktohen në aktet përkatëse.
Në masat e prezantuara nga kryeministri Edi Rama, akti i tretë ka të bëjë me ndryshimin e ligjit për tubimet. Nga këto masa do të preken edhe ata persona që bëjnë thirrje për dhunë në rrjetet sociale.
Rama njoftoi gjithashtu se fshehja e identitetit gjatë protestave, e ndaluar sipas ligjit ekzistues, propozohet të përfshihet si vepër penale në Kodin Penal, duke ndjekur modelin francez.
Instrumenti i katërt të paketës së masave të qeverisë kundër dhunës dhe anarkisë urbane, ka të bëjë me krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike, të clëve do t’u refuzohet dalja jashtë vendit.
Në instrumentin e pestë të masave kundër dhunës, kryeministri Edi Rama paralajmëroi mësuesit se do të pezullohen nga detyra nëse nxisin nxënësit për pjesëmarrje në protestë.
Instrumenti i gjashtë dhe i fundit që prezantoi Rama ka të bëjë me ndryshimet në Kodin Penal sipas praktikave më të mira të Francës dhe Italisë, mbështetur në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut.
Sipas tij, nga ndëshkimi përjashtohen protesta paqësore, kritika politike, satira dhe gazetaria. (A2 Televizion)