Vidhnin kufomat nga morgu dhe i shisnin për 1200 euro, goditet grupi kriminal

Nga A2 CNN
29 Janar 2024, 14:02 | Bota

Vidhnin kufomat nga morgu dhe i shisnin për 1200 euro, goditet grupi

Katër anëtarë të një organizate kriminale që vidhte trupat nga spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve për t'ua shitur universiteteve, të cilat i përdornin më pas për qëllime studimore, është goditur nga policia spanjolle.

Organizata e krijuar nga një zyrë funeralesh vepronte në Valencia. Ata shisnin kufomat e nxjerra ilegalisht nga spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve për 1200 euro secila.

Sipas asaj që policia raportoi, rrjeti përfundoi duke i faturuar mbi 5000 euro një universiteti për të kryer djegien e 11 kufomave, pasi ishin studiuar, por rezultonin të pa regjistruara në asnjë nga faturat e lëshuara nga agjencitë funerale që operojnë në qytet.

Hetimi nisi në fillim të vitit 2023, pas një ankese në polici se trupi i një pacienti të vdekur ishte hequr nga morgu i një spitali në mënyrë të parregullt nga agjencia e paditur më pas, e cila kishte falsifikuar regjistrin e vdekjeve dhe dokumentacionin e dërguar në Gjendjen Civile.

Pas një sërë kontrollesh, hetuesit vërtetuan se dy punëtorë të agjencisë funerale e kishin nxjerrë trupin nga morgu për ta transferuar në një universitet, të cilit i ishte shitur për 1200 euro, në vend që ta varrosnin në vendbanimin e të ndjerit sipas rregullave të komunës.

I njëjti model u zbulua më pas se ishte përdorur edhe për të vdekurit e tjerë. Grupi kryesisht merrte trupat e pajetë të të huajve të moshuar, të cilët vdiqën në spitale ose në rezidenca dhe nuk kishin përgjithësisht anëtarë të familjes, të cilët mund t’i kërkonin trupat e tyre.

Hetimi zbuloi gjithashtu parregullsi në djegien e kufomave të cilat, pasi u përdorën për autopsi për qëllime studimi, universitetet ia kthyen agjencisë funerale. Sipas hetuesve, punëtorët futën eshtrat në arkivolet e të vdekurve të tjerë, duke kryer djegien e kufomave të shumta në një djegie të vetme, për të ulur kostot. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos