Gadishulli korean po përjeton ditë tepër të trazuara. Sekretari amerikan i Shtetit në largim, Antony Blinken, gjatë një vizite në Seul tha se Uashingtoni beson plotësisht në qëndrueshmërinë e demokracisë së këtij vendi.
Në një deklaratë, kreu i DASH nënvizon mbështetjen për lidershipin e Presidentit në detyrë të Koresë së Jugut, Choi Sang-mok, që mori postin pas shkarkimit të Presidentit dhe pasuesit të tij.
Kriza politike në Korenë e Jugut shpërtheu pasi ish-lideri Yoon Suk Yeol, u përpoq të vendoste në zbatim ligjin ushtarak më 3 dhjetor, por vetëm vulosi largimin e tij dy javë më pas. Parlamenti shkarkoi edhe pasuesin e tij që refuzoi të përmbyllte procedurat, duke bërë që ministri i Financave të marrë rolin e Presidentit.
Blinken e takoi atë për t’i garantuar ndihmë në siguri përballë provokimeve nga Koreja e Veriut. E në fakt, pa u larguar Sekretari Amerikan i Shtetit nga Seuli, diktatori Kim Jong-un lëshoi një raketë balistike me rreze të mesme drejt detit në lindje.
Këtë e konfirmon ushtria e Koresë së Jugut, duke konfirmuar se bëhet fjalë për raketën e parë të lëshuar nga Peniani në dy muajt e fundit. Arma udhëtoi për 1100 kilometra përpara se të përfundonte në det, thekson ushtria e Seulit duke e dënuar atë si një akt të qartë provokimi.
Edhe Japonia e ka dënuar veprimin e diktatorit Kim Jong-un. Ministri i Mbrojtjes i këtij shteti, Gen Nakatani, thekson se raketa ka shkelur kufijtë detar. Përveç Koresë së Jugut, Blinken do të vizitojë edhe Japoninë. (A2 Televizion)