Zelensky: Nuk ka marrëveshje për Donbasin, Moska: BE-ja të dëgjojë Trumpin dhe të shpëtojë Europën

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2025, 18:39 | Bota

Zelensky: Nuk ka marrëveshje për Donbasin, Moska: BE-ja të

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit sot në Londër nga kryeministri britanik Keir Starmer, përpara takimit me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz. Takimi në Doëning Street 10 u fokusua në përpjekjet e fundit diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit ruso-ukrainas, me udhëheqësit evropianë që kërkojnë të harmonizojnë qasjen e tyre me planin amerikan të paqes.

Burime nga Parisi thanë se puna për finalizimin e propozimeve po ecën, me synimin për të arritur “konvergjencë më të ngushtë” ndërmjet Evropës, SHBA-së dhe Ukrainës. Garancitë e sigurisë dhe rindërtimi i vendit mbeten çështjet kryesore.

A2 CNN raporton se Zelensky, i cili sot udhëton edhe në Bruksel dhe nesër do të vizitojë Romën, theksoi se ende nuk ka një vizion të unifikuar për Donbasin, ndërsa konfirmoi gatishmërinë për të shkuar në SHBA për bisedime direkte me Presidentin Trump.

Starmer nënvizoi se nuk do të ushtrohet presion mbi Kievin për të pranuar planin amerikan, duke kërkuar një paqe “të drejtë dhe të qëndrueshme”. Nga ana e tij kancelari gjerman Merz, teksa shprehu skepticizëm për disa elementë të propozimit amerikan, paralajmëroi se këto ditë mund të jenë vendimtare për Ukrainën.

Ndërkohë, Moska ka ngritur akuza për “gjenocid” kundër 41 ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë ukrainas, përfshirë ish-presidentin Petro Poroshenko dhe drejtues të rangut të lartë ushtarak. Ata janë shpallur në kërkim nga Rusia. Paralelisht, këshilltari rus Kirill Dmitriev kritikoi BE-në dhe u bëri thirrje vendeve evropiane të “dëgjojnë presidentin Trump për të shpëtuar veten”.

“Ekipi i Bidenit e ka pushtuar plotësisht Brukselin, duke e shtyrë BE-në në rrugën e gabuar: imigracion masiv, një qëndrim të butë ndaj krimit dhe rënie ekonomike dhe qytetëruese. Tani papritmas burokratët e BE-së nuk duan ndërhyrje nga SHBA-ja nën drejtimin e Trump. Është koha ta dëgjojmë presidentin Trumpin dhe ta shpëtojmë Europën”, shkruan Dmitriev në X.

Po sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte do të presë Zelenskyn në Bruksel, së bashku me udhëheqësit kryesorë të institucioneve evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos