Zgjatet marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit

Nga A2 CNN
27 Janar 2025, 08:04 | Bota

Zgjatet marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit

Marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit do të zgjatet deri më 18 shkurt. Sipas kushteve të marrëveshjes së armëpushimit, ushtria izraelite duhej të tërhiqej nga Libani deri të dielën dhe të lejonte ushtrinë libaneze të vendosej në zonë.

“Marrëveshja mes Libanit dhe Izraelit, e monitoruar nga Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojë të jetë në fuqi deri më 18 shkurt 2025. Qeveritë e Libanit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara do të fillojnë gjithashtu negociatat për kthimin e të burgosurve libanezë të kapur pas 7 tetorit 2023", njoftoi Shtëpia e Bardhë në një shënim, raporton A2 CNN.

Megjithatë, shteti hebre njoftoi se forcat e tij do të qëndronin përkohësisht, duke përmendur mungesën e gatishmërisë së ushtrisë së Bejrutit.

"Ne shpallëm marrëveshjen sot. Qeveria izraelite ka qenë fantastike, ata janë një partner i madh i Shteteve të Bashkuara, ata janë një aleat parimor për ne dhe ata kanë bërë një punë të madhe në Liban", komentoi i dërguari i Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Të dielën, ministria libaneze e Shëndetësisë tha se ushtarët izraelitë vranë 22 persona dhe plagosën 124 të tjerë që po përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në jug të vendit.

Plani fillestar i armëpushimit, i shpallur në fund të nëntorit, i dha fund konfliktit 14 mujor midis Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah.

E ndërmjetësuar nga SHBA dhe Franca, marrëveshja i dha Hezbollahut 60 ditë kohë për t'i dhënë fund pranisë së tij të armatosur në Libanin jugor dhe kërkoi që forcat izraelite të tërhiqeshin gjatë të njëjtës periudhë.

Mijëra banorë libanezë janë kthyer në qytete dhe fshatra pranë kufirit që kur u arrit marrëveshja, pavarësisht paralajmërimeve se rajoni ishte ende i pasigurt.

Konflikti i gjatë midis Izraelit dhe Hezbollahut - një lëvizje militante, politike dhe sociale e mbështetur nga Irani - u përshkallëzua shtatorin e kaluar. Kjo çoi në një fushatë intensive ajrore izraelite në të gjithë Libanin, një pushtim tokësor në jug të vendit dhe vrasjen e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut.

Ofensiva vrau rreth 4,000 njerëz në Liban - duke përfshirë shumë civilë - dhe bëri që më shumë se 1.2 milionë banorë të zhvendosen.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos