Spahiu nga Korça: 50 milionë euro për Bonusin e Bebes, ja kur nisin përfitimet mujore për fëmijët deri në 5 vjeç

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2026, 11:44 | Aktualitet

Spahiu nga Korça: 50 milionë euro për Bonusin e Bebes, ja kur

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka prezantuar nga Korça politikat e reja për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbështetjen e familjeve. Ajo bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2027 parashikohen 50 milionë euro për rishikimin e Bonusit të Bebes, të cilat do të përkthehen në përfitime mujore për fëmijët deri në 5 vjeç, në familjet me të ardhura të ulëta, duke nisur nga 1 korriku 2027.

Spahiu njoftoi gjithashtu se 1.4 miliardë lekë do të financojnë 28 institucione të përkujdesit shoqëror, ndërsa 480 milionë lekë do të alokohen për Fondin Social, në mbështetje të bashkive për zgjerimin e shërbimeve sociale.

Ministrja theksoi se, përmes ligjit të ri për kujdesin alternativ dhe Planit të Garancisë për Fëmijët 2026-2030, synohet kalimi nga kujdesi institucional drejt shërbimeve që mbështesin familjen dhe komunitetin.

Mesazhi i ministres Klodiana Spahiu për kujdesin social

“Çdo fëmijë meriton një familje. Çdo familje meriton mbështetje.”

Sot, nga Korça, përcjellim një mesazh të qartë: mbrojtja e fëmijëve nuk është thjesht një detyrim institucional, por një përgjegjësi kombëtare.

Me ligjin e ri për kujdesin alternativ dhe Planin e Garancisë për Fëmijët 2026–2030, po ndërtojmë një sistem që vendos fëmijën dhe familjen në qendër të politikave sociale.

Korça është një shembull konkret i këtij transformimi: nga kujdesi institucional drejt shërbimeve që mbështesin familjen dhe komunitetin.

Në bashkëpunim me pushtetin vendor, Bashkimin Europian dhe UNICEF-in, synojmë ta zgjerojmë këtë model në të gjithë Shqipërinë.

Buxheti i vitit 2027 do të përfshijë 1.4 mld lekë për 28 institucione të përkujdesit shoqëror. Por veçanërisht për fëmijët do të shtohen për herë të parë  50 mln euro për rishikimin e Baby Bonus të përkthyera tashmë në përfitime mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, për familjet me të ardhura te pakta, nga 1 korriku 2027. Fondi social është një tjetër instrument i parashikuar në këtë projektbuxhet prej 480 mln lekë për të mbështetur bashkitë e vendit për ngritjen e zgjerimin e shërbimeve sociale territoriale.

Sepse suksesi i një qeverie nuk matet vetëm me zhvillimin ekonomik, por edhe me mënyrën se si kujdeset për fëmijët e tij.

“Asnjë fëmijë pa përkujdesje. Asnjë familje pa mbështetje.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos