17-vjetori i pavarësisë, Albin Kurti: Republika jonë, më e fortë se kurrë më parë

Nga Ideal Gola
17 Shkurt 2025, 13:38 | Aktualitet

Shënimi i 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës nisi me mbledhjen simbolike të Qeverisë. Para kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti nderoi të gjithë të rënët për liri dhe çmoi kontributin e të gjithë veprimtarëve për pavarësinë e Kosovës.

Duke u ndalur te sukseset e shtetit, Kurti tha se progresi është për meritë të institucioneve, të popullit dhe të miqve e partnerëve ndërkombëtarë, shkruan A2 CNN.

“Republika jonë sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë, jo vetëm sepse kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre që t’i shërbejnë para se gjithash, e mbi të gjitha qytetarëve të Republikës”, tha Kurti.

Menjëherë pas mbledhjes, në hapësirën ku bashkohen tri institucionet më të të rëndësishme, Kuvendi, Presidenca dhe Qeveria u bë ngritja e flamurit shtetëror.

Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani duke kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova si dhe komandantin Adem Jashari tha se Republika do të ecë përpara pasi askush nuk mund të ndalë progresin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.

“Është një ditë kur i festojmë sukseset të cilat i ka arritur Republika jonë në këto 17 vite, duke forcuar sovranitetin, duke forcuar shtetësinë e subjektivitetin ndërkombëtar, duke forcuar sundimin e ligjit, demokracinë e ekonominë”, tha Osmani.

Kryeministri Kurti tha se suksesi i vendit është dëshmi që është punuar në përputhje me amanetin e idealet e dëshmorëve të kombit.

“Mund të jemi krenarë që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve, kontributit të jashtëzakonshëm edhe të rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, invalidëve, veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve që qëndruan në kohë të vështira në mënyrë që ne të kemi kohë të mira”, u shpreh Kurti.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe që nga atëherë është njohur nga 117 shtete. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos