Gjysma e qytetarëve në Kosovë janë të pakënaqur me rezultatin e dialogut Prishtinë-Beograd. Kjo është konfirmuar nga Instituti Kërkimor për Zhvillim dhe Çështjet Europiane, “RIDEA”, që ka kryer sondazhin “Zëri i Popullit” rreth “Shtegut të Paqes”. Sipas të dhënave të marra, qytetarët në Kosovë nuk i dhanë mbështetje as vazhdimësisë së procesit të dialogut për pesë vitet e ardhshme. Sa i përket Asociacionit, shqiptarët e shohin atë si ndarje të vendit, ndërsa për serbët konsiderohet një mundësi integrimi.
Zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, theksoi “se nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut, pavarësisht se kjo është një rrugë gjatë dhe shumë e vështirë”. Ai nënvizoi se rreth 40% e qytetarëve nuk iu intereson përmbajtja e aneksit të Ohrit, pasi siç duket nuk është qartësuar nga negociatorët.
“Unë mendoj se kjo marrëveshje e ka ndryshuar lojën, duhet implementuar sa më shpejt”, tha Matthias Conrad, zv.ambasador i Gjermanisë në Kosovë
Ndërsa Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj, ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në këtë hulumtim nuk është e kënaqshme.
“Mendoj se ky hulumtim është bazë e mirë e perceptimit te opinionit publik por përfshirja e komunitetit serb në hulumtim është numër i vogël, pa dashur të kontestoj përgjigjet e këtij studimi”, tha Mirlinda Tishukaj, deputete e VV.
Në këtë hulumtim, kanë marrë pjesë 1.108 qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës. Prej tyre, 89 për qind kanë qenë shqiptarë, 9 për qind serb dhe 2 për qind të grupeve tjera etnike. Ndërkaq, 43 për qind e të anketuarve kanë qenë burra, ndërsa 57 për qind gra.
(A2 Televizion)