BE i beson Lajçakut, Aivo Orav emërohet ambasador i ri i BE në Kosovë

Nga Xhevahir Qardaku
26 Korrik 2024, 14:53 | Aktualitet
 

Këshilli i Bashkimit Europian mori një sërë vendimesh, që prekin Kosovën. Vendet anëtare u pajtuan që t’i zgjasin mandatin Miroslav Lajçakut, në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd dhe për Ballkanin Perëndimor.

Sllovaku duhet ta lërë detyrën më 31 janar të vitit 2025, ndërsa aktualisht është propozuar edhe për rolin e ambasadorit të BE-së në Zvicër. Nuk kanë munguar dhe reagimet lidhur me këtë zhvillim. Jasmin Mujanoviç, politolog dhe ekspert në çështjet ballkanike, shprehet i zhgënjyer për faktin që Lajçak mbetet në detyrë.

“Rekordi i tij është ai i paaftësisë, dështimit dhe një prirje e rrezikshme për zbutjen e autokratit militant të Beogradit, Vuçiç. Brukseli duket i paaftë për të nxjerrë ndonjë mësim.”

Një tjetër vendim është ai për emërimin e Aivo Orav si përfaqësues special i Bashkimit Europian në Kosovë. Diplomati nga Estonia, me një karrierë të pasur, do të marrë detyrën duke nisur nga 1 shtatori i këtij viti.

Orav e njeh mirë rajonin pasi ka shërbyer në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi. Në njoftimin zyrtar të Këshillit të BE-së thuhet se diplomati do të luajë një rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike që bashkëpunon me rajonin.

“Ai gjithashtu do të mbështesë perspektivën europiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në dhe do të monitorojë, ndihmojë dhe lehtësojë progresin në prioritetet politike, ekonomike dhe europiane”, lexohet mes tjerash në njoftimin e Këshillit të Unionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos