Dialogu Kosovë-Serbi, Gjermania kërkon zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Nga Ideal Gola
19 Mars 2025, 20:19 | Aktualitet

Gjermania deklaron se marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar mes dy vendeve janë të detyrueshme për të dy palët. Marrëveshja bazë dhe aneksi që shënoi dyvjetorin e dakordimit janë larg implementimit, por Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për A2 CNN, thotë se presin qëato të implementohen shpejt dhe plotësisht.

“Pavarësisht se viti i kaluar ka pasur progres të kufizuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova kanë riafirmuar pa ambiguitet angazhimin e tyre për Marrëveshjen e Ohrit, si dhe për të gjitha marrëveshjet e tjera të dialogut në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së. Ne mbajmë Serbinë dhe Kosovën përgjegjëse për këtë.”

Gjermania beson se ka një vrull të ri në procesin e dialogut nën udhëheqjen e Komisionit të ri Europian dhe Përfaqësueses së Lartë të tij, Kaja Kallas, për çka i kërkon Qeverisë së ardhshme të shfrytëzojë mundësinë për përparim.

Berlini ka shprehur mbështetje edhe për emisarin e ri të dialogut, Peter Sorensen, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

“Ne e mbështesim plotësisht të Dërguarin e Posaçëm të BE-së, Peter Sorensen dhe jemi të bindur se ai do të kontribuojë në mënyrë efektive brenda kuadrit të dialogut. Qeveria e ardhshme e Kosovës, me një mandat të ri politik, duhet të shfrytëzojë këtë momentum.”

Vizita e Sorensen, i cili vazhdoi takimet edhe gjatë së mërkurës me përfaqësues politikës serbe dhe të shoqërisë civile, u pa si përpjekje për të afruar palët për të zbatuar disa çështje më të vogla.

“Sorensen pretendon se do të ketë një qasje të re dhe se palët do të zbatojnë atë që për ato është e zbatueshme. Kjo nënkupton se nuk do të kemi gjëra të mëdha dhe të jashtëzakonshme. Me këtë nënkupton se nuk mund të presim nga Serbia të njoh pavarësinë, sikurse edhe nga Kosova që të themelojë Asociacionin. Sipas evropianëve mund të bëhen gjërat e vogla por jo diçka të jashtëzakonshme”, tha për A2 CNN, analisti politik Dorajet Imeri.

Sorensen, para se të largohej nga Kosova gjatë ditës së mërkurë, vizitoi Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ku tha se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është domosdoshmëri humanitare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos