Krimet e luftës/ Gjykimet në mungesë, 67 aktakuza të ngritura

Nga Ideal Gola
24 Dhjetor 2024, 00:01 | Aktualitet

Qeveria është krenuar me punën dhe angazhimin e institucioneve të Republikës në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në një konferencë të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe atij të Kulturës, Hajrulla Çeku, u tha se janë shënuar rezultate të prekshme në adresimin e krimeve, duke filluar me themelimin e Institutit që po dokumenton këto krime.  

“Tashmë janë 67 aktakuza të ngritura në 62 raste ndaj 174 personave, nga të cilat 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër të rritet në vazhdimësi. Duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe as ata terroristë që kryejnë krime e sulme terroriste në kohë të paqes ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që të adresohet gjykimi në mungesë për krimet e luftës”, deklaroi Haxhiu, shkruan A2. 

Kosova tashmë ka edhe raportin për dëmtim të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore gjatë periudhës 1998-99. 

Hajrulla Çeku theksoi: “Serbia ka shkatërruar afër 1800 monumente të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ka grabitur mbi 3700 artefakte, objekte muzeale nga koleksioni publik muzeal i Kosovës, ka grabitur dokumentacionin zyrtar të monumenteve me qindra mija dosje dhe “file” të tjerë pjesë të këtyre dosjeve, ka shkatërruar 175 biblioteka publike dhe rreth 1,7 milionë libra shqip si dhe ka dëmtuar, shkatërruar ose grabitur qindra vepra të artit”. 

Ministrja Haxhiu sërish u pyet për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, një premtim ky i Lëvizjes Vetëvendosje kur erdhi në pushtet. Megjithëse tha se i gjithë procesi është konfidencial, ajo tha se shpejt do të ketë veprime konkrete të cilat do të bëhen publike: “Është në agjendën tonë, po punojmë me ekspertë të çështjes, të huaj e vendor, dhe besojmë për një kohë jo të gjatë do të kemi veprime konkrete në kuptim të adresimit të përgjegjësive që i kemi në këtë drejtim”. 

Në këtë konferencë u përmenden edhe angazhimet në restaurimin e komplekseve memoriale në të gjithë vendin. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos