Protesta e bizneseve në Kosovë, Qeveria bën lëvizjen e radhës

Nga A2 CNN
29 Maj 2025, 09:21 | Aktualitet
Protesta e bizneseve në Kosovë, Qeveria bën lëvizjen e

Bizneset në Kosovë kanë paralajmëruar një protestë, e cila do të nisë në orën 10:00 të ditës së sotme, me bllokimin e rrugëve hyrse për në kryeqytet.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se protesta do të mbahet kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se me kërkesë të saj, Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, të mërkurën ka mbajtur takim me odat ekonomike dhe bizneset prodhuese në lidhje me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Në njoftimin për takimin thuhet se Qeveria do të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin intensiv me bizneset, siç theksohet, “për t’i ndihmuar në përballjen me këto sfida”.

Në njoftim citohen kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, raporton A2 CNN.

“Si hap konkret i radhës, u dakordësua një takim i përbashkët mes furnizuesve të energjisë elektrike në Kosovë dhe kompanive që pritet të dalin në treg të hapur, ku palët do të këmbejnë informata praktike, në funksion të rritjes së konkurrencës dhe mirë-informimit, në mënyrë që bizneset të bëjnë zgjedhjet më të favorshme”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se drejtori i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka njoftuar se që nga takimi i datës 19 maj 2025, ZRRE-ja ka pasur komunikime me furnizuesit e licencuar.

Sipas njoftimit ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramoz Hashani, ka sqaruar opsionin e furnizuesit të mundësisë së fundit për kompanitë të cilat nuk arrijnë të nënshkruajnë kontrata furnizimi para daljes në treg të hapur.

“Ai njoftoi pjesëmarrësit se kompanitë të cilat nuk kanë mundur të sigurojnë kontrata të rregullta për furnizim duhet të nënshkruajnë kontratë me KEK-un për të përfituar nga kjo mundësi që ua ofron legjislacioni”, thuhet në njoftim, shkruan A2 CNN.

Bizneset kanë paralajmëruar se të enjten, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për dalje në treg të hapur, i cili pritet që të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 qershori, do t’i bllokojnë tri hyrjet kryesore për në Prishtinë, atë nga Veterniku, nga Fushë-Kosova dhe nga Podujeva.

Bazuar në vendimin e ZRRE-së bizneset të cilat kanë mbi 50 punëtorë dhe mbi 100 milionë euro qarkullim detyrohen që të zgjedhin se prej ku do të furnizohen me energji me çmime të parregulluara nga ZRRE-ja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos