"Kemi marrë 80 mijë vota njerëzish të lirë", Lapaj: Jemi krenarë, bëmë fushatë model

Nga A2 CNN
30 Maj 2025, 21:41 | Politikë

"Kemi marrë 80 mijë vota njerëzish të lirë",

Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, i ftuar në studion e “ÇdoKënd” me Merita Haklajn, në A2 CNN deklaroi se nuk mori në zgjedhjet e 11 majit rezultatin që dëshironte, por është shumë krenar për numrin e votave të partisë së tij.

“Kemi marrë rreth 80 mijë vota njerëzish të lirë, mes tyre 15 000 vota u shpallën të pavlefshme për ne. Jemi krenarë sepse kemi bërë një fushatë model, ku nuk kemi sharë njeri dhe kemi dhënë vetëm ide. Nuk kemi përdorur as autobusë dhe as furgonë. A janë sa ëndërroja unë? Jo. Por, 80 mijë nuk janë pak”, tha Lapaj.

Kur u pyet nëse do të jetë në Parlament, Adriatik Lapaj u përgjigj: “Dorëheqjet janë dorëzuar që pas mbylljes së kutive të votimit. Nuk ishte fare temë diskutimi kjo te koalicioni. Ne prandaj vumë prindërit dhe të afërmit, për të dërguar mesazhin te qytetarët”.

Më tej, Lapaj theksoi se kërkon që Shqipëria të kthehet në një zonë zgjedhore, që vota të ketë të njëjtën vlerë nga Konispoli deri në Vermosh: “Deputeti i Vlorës miraton ligje me fuqi edhe për Kukësin. Është një nga shtyllat e programit tonë kjo. Ne nuk duam të krijojmë enklava. Ne duam të rritemi sa më shumë, për t’i dhënë Shqipërisë një alternativë. Kam bërë fushatë në të gjithë Shqipërinë. Po të shikosh rezultatet, ne kemi marrë 6 mijë vota në Korçë, 6 mijë në Berat, 6200 në Vlorë, 4000 në Durrës… Kemi njëtrajtshmëri të votës dhe kjo tregon që mesazhin tonë e kemi çuar në çdo cep të vendit. Në përgjithësi, nuk kemi pasur kuti me 0 votë”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos