"Jemi shumë afër një armëpushimi në Gaza”. Kjo u konfirmua nga presidenti amerikan Donald Trump në Zyrën Ovale, duke specifikuar se kjo do të bëhet e ditur "sot ose ndoshta nesër" dhe, duke vazhduar në lidhje me Lindjen e Mesme, ai tha se një marrëveshje me Iranin është e mundur në një të ardhme jo shumë të largët, duke përsëritur se Teherani nuk mund të ketë armë bërthamore.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për tarifat ndaj Kinës tha se ishte i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila la në fuqi tarifat që Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare e SHBA-së kishte bllokuar.
"Ka mbështetje të madhe për tarifat, por duhet të jemi të shpejtë dhe të shkathët. Do të duheshin muaj që Kongresi të vepronte. Kina ka shkelur një pjesë të madhe të marrëveshjes së nënshkruar: Jam i sigurt se do të flas me Presidentin Xi Jinping dhe shpresojmë ta zgjidhim", tha ai.
Më herët presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se SHBA-të dhe Evropa rrezikojnë të humbasin besueshmërinë e tyre dhe të akuzohen për "standarde të dyfishta" nëse nuk i zgjidhin së shpejti luftërat në Ukrainë dhe Gaza.
Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve aziatike të ndërtojnë një aleancë të re me Evropën për t'u siguruar që ato të mos bëhen "dëm kolateral" në luftën për pushtet midis SHBA-së dhe Kinës.
Macron po fliste në Dialogun Shangri-la, një samit vjetor i nivelit të lartë të mbrojtjes së Azisë që mbahet në Singapor.
Midis të ftuarve që po dëgjonin ishte Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë nga rajoni.
(A2 Televizion)