Marta Kos flet për protestat në Shqipëri: Qeveria të ndryshojë ligjet e mjedisit, ndalim anëtarësimin nëse...

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2026, 15:34 | Politikë

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, komentoi protestat në Shqipëri, duke thënë se Brukseli e di shumë mirë se kush po proteston.

Sipas saj, kërkesa e vetme e protestuesve jodhunues është ajo që ka të bëjë me ligjet e mjedisit. Komisionerja për Zgjerim theksoi se BE-ja i ka në duar të gjithë mekanizmat për të ndaluar procesin e pranimit, nëse Shqipëria apo vendet e tjera nuk ecin në drejtimin e duhur.

“E dimë se çfarë kërkojnë protestuesit. E dimë se ka një diferencë mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre me qëllime të qarta. Procesi i anëtarësimit është ndërtuar në një mënyrë të tillë që vendi nuk mund të ecë përpara, përveçse duke përmbushur kriteret. Kapitulli 27 është më i vështiri për Shqipërinë dhe ka të bëjë pikërisht me mjedisin. Është tashmë në duart e qeverisë të bëjë disa ndryshime në legjislacion, të ndryshojë ligjin për investimet strategjike. Kjo është ekzaktësisht ajo që duan protestuesit. Ajo që presim është dialogu mes qeverisë dhe grupeve të interesit. Jo vetëm për Shqipërinë, por për çdo vend, ne kemi shumë mjete me të cilat mund të reagojmë nëse nuk ecën në drejtimin e duhur”, tha Kos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos