Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar zyrtarisht sot përmes një Note Verbale, të dërguar në Ambasadën e Kosovës në Abu Dhabi, se ka hyrë në fuqi marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet dy vendeve.
Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të konvertojnë patentë shoferët e tyre pa pasur nevojë t’iu nënshtrohen provimeve teorike apo praktike në vendin pritës.
Ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes dhe integrimit të qytetarëve të të dyja vendeve, raporton KosovaPress.
Marrëveshja është nënshkruar më 4 dhjetor 2024 në Abu Dhabi, njofton MPJD e Kosovës.
Kjo është marrëveshja e dytë me rëndësi të veçantë ndërmjet dy vendeve, pas marrëveshjes së janarit 2024 që mundësoi heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. (A2 Televizion)