Zyra Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), më 16 prill ka miratuar tarifat e reja energjetike, të cilat janë të rritura për 16.1 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Megjithatë, ZRRE-ja ende nuk ka njoftuar se sa kushton kilovati për konsumatorët e amvisërisë, por edhe të bizneseve.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Rritja e çmimit të tarifave vjen pasi bordi i ZRRE-së më 11 prill ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Kundër shtrenjtimit të rrymës, më 11 prill u mbajt një protestë në Prishtinë, në ditën kur ZRRE-ja miratoi kërkesat e operatorëve për rritjen e tarifave.
Shtrenjtimin e kanë kundërshtuar edhe përfaqësues të bizneseve, sipas të cilëve, kjo do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera./ REL (A2 Televizion)