Ligji për Specialen rikthehet sot në Kuvend, mes kërkesave të BE-së për konsultime para votimit

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 07:15 | Aktualitet

Ligji për Specialen rikthehet sot në Kuvend, mes kërkesave

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot, në orën 11:00, seancën plenare të ndërprerë dje për mungesë kuorumi pas pauzës, raporton KosovaPress. Në rend dite është edhe rishqyrtimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përfshirja e kësaj pike u miratua pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së. Ligji është kthyer për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula, ndërsa Komisioni për Legjislacion ka njoftuar se për miratimin e tij pa ndryshime nevojiten 61 vota.

Para votimit të mundshëm, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësime serioze për ndikimin e ndryshimeve në obligimet ndërkombëtare të vendit dhe në respektimin e parimeve të sundimit të ligjit.

Shqetësimet e BE-së lidhen veçanërisht me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Në reagim janë ngritur edhe pikëpyetje për kushtetutshmërinë e ndryshimeve.

Zyra e BE-së ka theksuar se, që nga kthimi i ligjit në Kuvend, ua ka përcjellë autoriteteve kosovare shqetësimet dhe pritshmëritë e saj, përfshirë kërkesën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi.

Qëndrimin e BE-së e ka mbështetur edhe Ambasada e Gjermanisë. Ndërkaq, Ambasada e Italisë ka shprehur keqardhje që konsultimet ende nuk janë zhvilluar, duke vlerësuar se ligji në formën aktuale nuk do t’u shërbente as interesave të Kosovës dhe as atyre të personave të dënuar së fundmi nga Dhomat e Specializuara.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, u ka kërkuar deputetëve ta miratojnë ligjin e kthyer nga presidentja dhe më pas të nisin një procedurë të re për ndryshimin e tij.

Gjatë seancës së 12 nëntorit, Çitaku është zotuar se PDK-ja do ta paraqesë nismën e re ligjore të hënën dhe ka propozuar që amendamentimi të përfundojë brenda 2 javësh.

Çështja është diskutuar edhe nga komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Më 4 nëntor, ajo deklaroi se BE-ja po zhvillonte dialog me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në ligj, të cilat, sipas saj, rrezikojnë të minojnë përparimin e vendit në rrugën evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos