Aksion kundër trafikut të kokainës në Prishtinë, arrestohet ish-ministri i Kulturës

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2026, 15:43 | Aktualitet

Aksion kundër trafikut të kokainës në Prishtinë,

Në mesin e të arrestuarve në aksionin kundër trafikimit të kokainës në Prishtinë është edhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës. Rastin për KosovaPress e konfirmoi avokati i tij, Korab Bokshi.

Bokshi tha se Haraqija u arrestua sepse i njëjti dyshohet për kontrabandim me narkotikë. Ai tha se te familja e të pandehurit kanë bërë kontroll dhe nuk kanë gjetur asgjë dyshuese.

 “E kanë arrestuar për veprën penale që dyshohet për kontrabandim me narkotikë. Te familja e Astritit edhe banesa e tij kanë bërë kontroll dhe nuk ka pas kurrgjë inkriminuese”, tha Bokshi.

Avokati njoftoi se janë sekuestruar përkohësisht disa të holla, të cilat kanë qenë kursime të fëmijëve të tij prej punës së tyre. Sipas tij, këto të holla nuk janë të të dyshuarit.

Kujtojmë, një grup i dyshuar për trafikim të kokainës është goditur në Prishtinë, ku janë arrestuar 6 persona dhe janë sekuestruar drogë e pasuri në vlerë rreth 301 mijë euro.

Operacioni i koduar “Heshtja” është realizuar më 14 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të dyshuara të marihuanës, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe substanca të tjera të panjohura.

Po ashtu, janë konfiskuar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, përfshirë euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë. Në mesin e pasurisë së sekuestruar janë edhe 6 vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan.

Gjatë operacionit janë gjetur edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, si dhe pajisje për vëzhgim.

Policia ka sekuestruar gjithashtu një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike.

Sipas vlerësimeve policore, kokaina e sekuestruar mund të arrinte vlerën e rreth 111 mijë eurove në tregun ilegal, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara llogaritet në rreth 301 mijë euro.

Me vendim të prokurorit, 6 të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamentit për Krime të Rënda.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos