
Një nënë që përkëdhelte për herë të fundit djalin e saj 11-vjeçar të vrarë nga serbët, dhe një abetare mes rrënojave të shtëpisë së Adem Jasharit. Janë këto disa nga pamjet që, edhe pas 27 vjetësh, vazhdojnë ta tronditin profesorin Ismail Ismaili, dëshmitar i krimeve të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë, raporton KosovaPress.
Ai nuk mbante armë, por kishte një mision tjetër: përmes fjalës dhe përkthimit t'ua përcillte gazetarëve francezë dëshmitë e njerëzve që po përjetonin tmerrin e luftës. Në një kohë kur dhuna dhe frika mbizotëronin në Kosovë, Ismaili u bë ura e komunikimit mes viktimave shqiptare dhe gazetarëve të huaj, duke ndihmuar që rrëfimet e tyre të arrinin përtej kufijve.
Me emocione të forta, ai rikthen kujtimet e atyre ditëve, kur përkthimi nuk ishte thjesht një profesion, por edhe përgjegjësi për të dëshmuar atë që po ndodhte. Nga Prekazi i shkatërruar deri te varrimi i një fëmije nën kërcënimin e të shtënave, Ismaili rrëfen histori që, siç dëshmon ai, nuk mund të harrohen.
Gjithçka kishte nisur në vitin 1995, kur një koleg e kishte rekomanduar si përkthyes për gazetarët francezë. Megjithëse e njihte gjuhën frënge, Ismaili kishte një pasiguri: prej vitit 1979 nuk kishte komunikuar drejtpërdrejt me francezë dhe druhej nëse do të arrinte të shprehej siç duhej.
Ai tregon se takimet e para me gazetarët francezë i kishin mbajtur tek Kodra e Trimave, në shtëpinë ku asokohe mbaheshin mbledhjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
E për herën e parë ishin të interesuar të shkonin në xhami për të parë se sa jemi popull fetar. Aty ishin përballur me mungesën e të rinjve në xhami, e një i moshuar u kishte thënë se "ata kanë punë më të mençura" sesa të luten për veten.
Pas xhamisë ata shkuan drejt tregut, ku u përballën me një situatë që i tronditi gazetarët e huaj. Ata panë drejtpërdrejt trajtimin që u bëhej shqiptarëve, pikërisht kur dy policë serbë ushtruan dhunë ndaj një të riu shqiptar që kishte dalë të shiste produktet e tij, ngjarje që ishte filmuar tashmë e tëra nga syri i kamerës.
Pas rënies heroike të familjes Jashari, ata morën rrugën për Prekaz për të parë nga afër se si vendi kishte marrë pamjen nga lufta. Në shtëpinë e Jasharëve, gazetarët francezë kishin gjetur një abetare.
“Në Prekaz, gazetarët francezë gjetën një abetare...”
"Shtëpia e Ademit ishte e shkatërruar... Çka me pa, oborri ishte i mbushur me 'llasnika', disa revista fetare të Sarajevës, i thashë gazetarit këto nuk janë të tonat. Fatmirësisht, duke i larguar ato e gjeti një abetare edhe tha po e fotografoj këtë. Një lloj forme, abetarja tregonte që një fëmijë aty ka filluar të shkruajë, t'i mësojë shkronjat dhe kësisoj tregonte jetën që ka ekzistuar dikur", shtoi përkthyesi.
Krimin që e panë në familjen Jashari, gazetarët e kishin përshkruar si masakër.
“Për Prekazin, gazetarët thanë që kjo është masakër, më keq se në Bosnjë”
"Kur erdhëm në Prishtinë, thanë kjo është masakër, kjo është diçka e paparë. Tha ne kemi parë gjithçka në Bosnjë, e njëjta gjë po ndodh te ju, bile me një ashpërsi edhe më të madhe", tregoi ai.
Ndërkohë, në fshatin Tërdevc, gazetarët e huaj u bënë "shpëtimtarë" të një të plagosuri që e kishte të domosdoshme të transferohej në spital për trajtim mjekësor, përndryshe rrezikohej të vdiste.
Ismaili tregon se si gazetarët spanjollë e morën të plagosurin në Tërdevc dhe e dërguan në spital
"Një shtëpi që shërbente si ambulantë, mjeku po më thërret e më tha e kemi një të plagosur, ai i shkreti ishte i plagosur në krahë dhe në këmbë, nëse nuk e dërgojmë në spital, ky sot do të vdesë. Thashë ja ku e kemi një veturë, e kishim një Pinzgauer. Tha nëse nuk e vendosim këtu, ky ka me vdekur. Ishin disa gazetarë spanjollë më tutje e flisnin frëngjisht, i luta, u thashë ky njeri do të vdesë nëse nuk e dërgoj në spital. Thanë silleni, e morën ata. Nuk dimë asgjë për atë njeri tash", theksoi ai.
E të nesërmen, në Krajkovë serbët kishin vrarë një djalë 11-vjeçar, i cili kishte qenë nipi i të plagosurit në Tërdevc. Djalin e kishin vrarë dhe nuk po lejonin ta varrosnin nga të shtënat. Në këtë mes, gazetarët me veturat e tyre kishin rrethuar hapësirën ku gjendej varri dhe mundësuan varrimin e të miturit.
Ismaili rrëfen se në Krajkovë serbët nuk lejonin varrimin e 11-vjeçarit, gazetarët e huaj rrethuan me xhipa varrin dhe e varrosëm
"Të nesërmen u përhap lajmi që ishte vrarë një djalë i ri 11-vjeçar në Krajkovë. Ai kishte qenë bashkë me të plagosurin në Tërdevc, axha i tij. Kishin dalë në mal për të prerë drunj, serbët kanë shtënë në ta dhe kanë vrarë djalin. Ka qenë një pamje e hatashme sepse nëna ledhatonte djalin e vrarë. Ata të shkretit, babai i tij tha nuk po na lejojnë me e varrosur. Varrin e kemi punuar natën, por nuk po na lënë se po shtien serbët. Gazetarët mbetën të habitur, u tregova se nuk po e lejojnë me varrosur djalin se po duan me i vrarë. Thanë hajdeni me ne, ka pasur plot gazetarë. Kanë qenë pesë xhipa që e bënë një lloj rrethi dhe e varrosëm djalin", rrëfeu ai.
Të gjitha këto emocione e ndodhi, Ismail Ismaili i ka të shkruara në librin e tij të botuar që mban titullin "Në hijen e luftës, në dritën e fjalë".
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë dhe periudhës së lidhur me të, janë vrarë 1 mijë e 24 fëmijë, ndërsa 109 të tjerë janë regjistruar si të zhdukur.

(A2 Televizion)