Për herë të parë, KQZ vendos që votimi në veri të monitorohet me kamera

Nga A2 CNN
28 Mars 2024, 19:50 | Aktualitet

Për herë të parë në një proces votimi në Kosovë do të ketë kamera në secilin vendvotim në ditën kur do të vendoset “pro” ose “kundër” largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut më 21 prill.

Kamerat do të huazohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri dhe do të garantojnë mbarëvajtjen e votimit.

“A është në përputhshmëri me ligjet aktuale në Kosovë, me cenimin e privatësisë, sepse kjo çështje ka qenë dhe është trumbetuar shumë gjatë në Kosovë sa i përket vendosjes së kamerave në vendvotim”, tha anëtari i KQZ, Ilir Gashi.

“Sigurisht që kjo çështje sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe zgjedhjeve lokale në nivel nacional nevojitet procedura të veçanta, ky është një lloj testimi, pilotimi, që po e bëjmë për përdorimin e këtyre kamerave brenda vendvotimeve”, shtoi Arianit Elshani.

Kamerat do të vendosen në pozitë sa për garantuar mbarëvajtjen e votimit dhe nuk do të cenojnë fshehtësinë e votës.

“Ligji i ri e ka dhënë si obligim KQZ-së që gjatë proceseve të votimit e numërimit të rritet transparenca dhe kjo është në suaza të asaj transparence, natyrisht që duke e ditur që edhe shtetet e tjera që e përdorin në këtë formë është e qartë që ruhet fshehtësia e votës”, deklaroi Alban Krasniqi.

Zgjedhjet në komunat veriore me shumicë serbe gjithnjë janë kontestuar për shkak të shantazheve dhe kërcënimeve të Listës Serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos