
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njofton se përmes misioneve diplomatike është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët e Kosovës që ndodhen në Lindjen e Mesme, për të monitoruar gjendjen e tyre dhe për të ofruar mbështetje sipas nevojës.
Sipas të dhënave të fundit, në rajon ndodhen: 21 qytetarë në Izrael, 331 në Arabia Saudite, rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë në Emiratet e Bashkuara Arabe, 75 në Katar, rreth 60 në Kuvajt, 4 në Bahrein dhe 2 në Oman. Sipas misioneve diplomatike, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
MPJD njofton se po koordinohet me autoritetet përkatëse për të siguruar opsione evakuimi, nëse paraqitet nevoja.
Kufijtë tokësorë mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit mbeten të hapur, ndërsa janë në dispozicion disa fluturime nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.
Institucionet vendore rekomandojnë shmangien e udhëtimeve deri në stabilizimin e situatës së sigurisë. Qytetarët këshillohen të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të mbajnë kontakt me përfaqësitë diplomatike për çdo nevojë urgjente.
Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, përmes misioneve tona diplomatike është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Lindje të Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.
Sipas të dhënave më të fundit:
Në Izrael ndodhen 21 qytetarë të Republikës së Kosovës;
Në Arabinë Saudite 331 qytetarë;
Në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 qytetarë rezident dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot;
Në Katar 75 qytetarë;
Në Kuvajt përafërsisht 60 qytetarë;
Në Bahrein 4 qytetarë;
Në Oman 2 qytetarë.
Sipas informacioneve nga misionet tona diplomatike, të gjithë qytetarët tanë aktualisht janë në gjendje të mire shëndetësore.
Ministria është duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuimin e qytetarëve tanë, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur. Aktualisht, janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.
Megjithatë, institucionet vendore të të gjitha shteteve të rajonit, rekomandojnë dhe udhëzojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime, deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Autoritetet përkatëse kanë bërë të ditur se secili udhëtim i ndërmarrë në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme që mund të lindin nga zhvillimet e paparashikueshme të situatës.
Rekomandime për qytetarët tanë:
Të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale.
Të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në njoftim të radhës.
Të qëndrojnë në kontakt të rregullt me përfaqësitë tona diplomatike.
Për çdo nevojë urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe: +971 547092109
Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael: +972 586 340450
Ambasada e Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite: +966 537508835
Ambasada e Republikës së Kosovës në Katar: +974 5055 9453
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojë të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri.
(A2 Televizion)