Të arrestuarit, letra e Haxhiut pa efekt, Serbia nuk pritet të bashkëpunojë

Nga Ideal Gola
3 Korrik 2024, 20:14 | Aktualitet

Kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar Serbisë për të transferuar të burgosurit shqiptarë në Kosovë nuk pritet të prodhojë ndonjë rezultat.

Për juristët, raportet me Beogradin zyrtar, dhe retorika e cila është ashpërsuar shumë, nuk lënë hapësirë për optimizëm.

“Unë jam pesimist se mund te këtë ndonjë epilog për faktin se siç dihet bashkëpunimi juridik ndërkombëtar para se gjithash dhe në radhë të parë është refleksion i vullnetit politik të shteteve respektive dhe në këtë drejtim kur jemi të fqinji ynë verior dihet ky vullnet sepse i njëjti sipas praktikës së deritashme është dëshmuar se nuk ekziston”, tha Ardian Bajraktari, Avokat.

Për avokatin e familjes së Hasan Dakajt i cili po mbahet në Serbi, letra e Haxhiut me shumë mund t’i bëjë dëm të burgosurve atje pasi dihet që nuk do të sjellë asnjë dobi.

“Është një letër e kotë dhe e pandershme nga ana e ministres Haxhiu kur e di sigurt se nuk ka asnjë efekt sepse bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën penale bëhet përmes një marrëveshjeje bilaterale ndërmjet shteteve dhe Kosova nuk e ka një marrëveshje të tillë, përkundrazi kjo letër do t'ua vështirësojë qëndrimin dhe kohën në paraburgim katër të arrestuarve”, u shpreh Xhevdet Smakiqi, avokat i familjes Daka.

Smakiqi thotë se veprimi i duhur është që Kosova të kërkojë monitorim strikt të procedurave në

“Është dashur të koordinohet së bashku me mekanizmat ndërkombëtarë që të sigurojë një monitorim të fortë të procedurave penale sepse për rastin e Hasan Dakajt ku unë jam i përfshirë jemi të sigurt se nuk ka prova dhe po të kemi një monitorim ndërkombëtar në dosjen e tij, edhe në fazën e hetimeve para aktakuzës por edhe nëse ngrihet aktakuza konsideroj se ai do të lirohet sepse nuk ka asnjë provë, nuk ka asnjë dëshmitarë që e identifikon”, shtoi ai.

Ndikimi ndërkombëtar shihet edhe si mundësia e vetme që të burgosurit shqiptarë të kthehen në Kosovë.

“Mundësia e vetme në bindjen time për të pasur ndonjë rezultat sa i përket kësaj çështjeje specifikisht por edhe bashkëpunimit edhe për çështje të tjera sa i përket fushës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mund të jetë vetëm që në koordinim ndërkombëtar, me theks të veçantë me shtete mike të vendit tonë, këto të fundit të ushtrojnë presion tek autoritetet serbe”, deklaroi Ardian Bajraktari, Avokat.

Përpos Hasan Dakajt, në Serbi me akuza për pretendime për krime lufte po mbahen edhe Nezir Mehmetaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos