Epoka e Aleksandër Vuçiçit mbërrin në fund. Udhëheqësi nacionalist, që ka dominuar politikën serbe si kryeministër dhe president që prej vitit 2014, pranoi humbjen përballë Lëvizjes Studentore, në zgjedhjet historike të së dielës, që çelin një kapitull të ri në vendin ballkanik.
Vuçiçi thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas protestave masive kundër regjimit të tij dhe kandidoi si kryeministër, me shpresën se do të zgjaste qëndrimin në pushtet. Por, në një tërmet politik, lëvizja studentore, e dalë nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit, arriti të siguronte 51,47 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandër Vuçiç - Serbia e Bashkuar” mori 40,42 për qind.
Sipas të dhënave paraprake, lista “Ivica Daçiç - Faktor stabiliteti” ka marrë 2,20 për qind, ndërsa Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës 1 për qind. Koalicioni Shqiptar ka siguruar 0,9 për qind të votave.
“Dua t’ju informoj se, bazuar në rezultatet fillestare, është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje. Lista e Studentëve ka fituar dhe do të ketë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne do të kemi 105. Askush tjetër nuk ka hyrë në parlament”, tha Vuçiç, përcjell A2 CNN.
Brenda pak minutash nga njoftimi i tij, festa shpërtheu në rrugët e Beogradit. Dhjetëra mijëra njerëz vërshuan në rrugët kryesore të qytetit, duke u rënë borive të makinave, duke kërcyer dhe duke thirrur slogane si “Fitore!” apo “Ai mori fund!”.
Lista studentore, e cila nuk ka një udhëheqës të vetëm, kandidoi me një listë prej 250 kandidatësh, mes të cilëve profesorë universitetesh, aktorë dhe fermerë.
“Pas dy vitesh vuajtjesh dhe përpjekjesh për të drejtat, lirinë dhe drejtësinë, nën trysninë dhe represionin ndaj sindikatave dhe qytetarëve serbë, ja ku jemi sot. Tani do t’i ndryshojmë gjërat dhe do të nisim të ndërtojmë një vend të lirë dhe të begatë, ku fëmijët tanë do të jetojnë pranë nesh, në vend që të largohen jashtë vendit për të ndërtuar jetën e tyre diku tjetër”, tha Radomir Sasiç.
Lista e studentëve udhëhiqet nga kardiologu Ilija Srdanoviç, i cili shpërtheu në lot pas njoftimit të Vuçiçit, por mbetet e paqartë se cili prej kandidatëve do të zgjidhet kryeministër.
Lista garoi me një program të përqendruar te lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i shkollave. Sa i përket Kosovës, lëvizja studentore gjithashtu e konsideron atë pjesë integrale të Serbisë dhe ka kërkuar rishikimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Zgjedhjet e së dielës shënuan një rekord pjesëmarrjeje, prej afro 70 për qind, niveli më i lartë që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Liderët dhe zyrtarët e BE-së nxituan të uronin listën studentore për fitoren. Mes tyre ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, të cilat thanë se presin me padurim të punojnë për avancimin e Serbisë drejt BE-së. (A2 Televizion)