Shqiptarët fitojnë dy mandate në Serbi, Kamberi: Arritje historike, rezultat i bashkimit politik

Nga Rosalba Bejdo
26 Tetor 2026, 10:25 | Aktualitet

Koalicioni Shqiptar siguroi dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe mbetet në garë për të tretin. Këtë e bëri të ditur bartësi i listës, Shaip Kamberi, duke iu referuar rezultateve paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Sipas Kamberit, lista e përbashkët e tetë partive shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka marrë 27.230 vota. Të njëjtat shifra i publikoi edhe Ardita Sinani. Të dy e cilësuan rezultatin si “arritje historike”.

“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi rezultatin si “arritje të jashtëzakonshme”, duke thënë se koalicioni ka dy mandate të projektuara dhe se gara për të tretin mbetet e hapur.

“Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar”.

Nëse konfirmohen, dy mandatet do ta rrisnin përfaqësimin e komunitetit shqiptar krahasuar me përbërjen e kaluar të Kuvendit, kur Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar.

Kamberi dhe Sinani falënderuan votuesit e tri komunave, partitë shqiptare për bashkimin dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes për listën e përbashkët.

Tetë partitë garuan së bashku pas vitesh përçarjesh dhe rivalitetesh, me synimin për të fituar tri mandate. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos