“Ministre apo meteorologe?” Bizneset në alarm për dimrin e vështirë, frikë nga reduktimet

Nga Leonora Kolukaj
23 Nëntor 2026, 19:32 | Ekonomi

Dimri po afron, Kosova po përballet me pasiguri për furnizimin me energji elektrike. Rreziku nga reduktimet dhe rritja e çmimit të energjisë kanë vënë në alarm bizneset. Kuvendi ka miratuar masat emergjente për 60 ditë, por bizneset paralajmërojnë humbje nga reduktimet dhe rritja e çmimit të energjisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se rritja e çmimit të energjisë dhe reduktimet mund të shkaktojnë humbje të mëdha për bizneset.

“Çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike për bizneset është kosto operative. Kjo biznesit ia shtrenjton produktin, e rrit koston e prodhimit, që i bën jokonkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në tregun rajonal dhe të BE-së”.

Ai kritikon institucionet për mungesë të veprimeve konkrete për të parandaluar krizën, duke vënë në pikëpyetje paralajmërimet për një dimër të vështirë.

“Tani në momentin e fundit del ministrja edhe shumë thjeshtë pa asnjë pikë përgjegjësie thotë do të jetë dimër i vështirë Por çfarë bëre ti qe gjashtë vjet si ministre? A është e mjaftueshme vetëm një deklaratë? Për dimër të vështirë i kemi meteorologët. Është e dhimbshme në çfarë situate kanë ardhur bizneset tona”.

Rafuna kërkon që prodhuesit të subvencionohen gjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt, për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Sipas drejtorit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti, bizneset po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike që nga gushti, ndërsa institucionet nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme.

“Reduktimet janë një prej dëmeve më të rënda që i shkaktohet krejt biznesit. [...] Kjo e humb fuqinë e biznesit vendor, e ul kapacitetin e prodhimit, rrezikon vendet e punës që janë. Gjithashtu rrezikon që bizneset e vogla t'i mbyllë krejt”.

Kuvendi i Kosovës, pas mesnatës së 20 nëntorit, miratoi masat emergjente për furnizim me energji elektrike, për shkak të mungesës së prodhimit vendor dhe çmimeve të larta të importit. Për to votuan 61 deputetë, ndërsa do të jenë në fuqi për 60 ditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos