Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë vendosur t'i japin edhe një mundësi dialogut me menaxhmentin, duke pezulluar përkohësisht protestën e paralajmëruar për rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe realizimin e pagës së 13-të. Megjithatë, nëse negociatat nuk përkthehen në rezultate konkrete, protesta mbetet opsion.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka bërë të ditur se vendimi për pezullimin e protestës është marrë pas takimeve me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut. “Në momentin kur nuk ka dialog edhe nuk shterohen mundësitë e shqyrtimit të kërkesave dhe nuk ka rezultate, pa diskutim që ne e kemi opsionin e protestës”.
Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, thotë se KEK-u është zotuar që brenda dy ditësh t’u përgjigjet kërkesave të punëtorëve. Ai ka ngritur shqetësimin edhe për kushtet e punës dhe vdekjen e punëtorëve gjatë këtij viti.
“Kushtet gjithmonë të punëtorëve të KEK-ut janë të vështira, duke marrë parasysh edhe rastet e vdekjeve të punëtorëve brenda vitit. Vetëm në vitin 2026 kanë vdekur 17 punëtorë, katër prej të cilëve në aksidente fatale, ndërsa për 13 të tjerë ne mendojmë se bëhet fjalë për sëmundje profesionale që janë marrë gjatë procesit të punës aty”.
Punëtori i KEK-ut, Anefi Krasniqi, thotë se pagat aktuale nuk u mjaftojnë punëtorëve për t'i përballuar shpenzimet mujore, prandaj rritja e tyre mbetet një ndër kërkesat kryesore të sindikatës. “Nuk del rroga deri në fund të muajit, e ke presionin e punës, presionin e familjes. Kjo është pak shumë e rëndë për shumë punëtorë”.
Kujtojmë se punëtorët e KEK-ut javën e kaluar kanë protestuar për të njëjtat kërkesa, duke kërkuar rritjen e pagave dhe realizimin e pagës së 13-të. Nëse këto kërkesa nuk realizohen, sindikata ka paralajmëruar vazhdimin e protestave. (A2 Televizion)