Deri në muajin gusht, vetëm në këtë varrezë, numri i vdekjeve shtesë të konstatuara nga analiza ishte 25 për qind më i lartë se numri zyrtar i viktimave të Ebolës në qytet dhe fshatrat përreth.
Ndërsa gjatë vizitës së gazetarëve në korrik, punonjësit e varrezave dhe zyrtarët identifikuan disa qindra varre të tjera, në shtatë varreza të ndryshme, të cilat, sipas tyre, u përkisnin viktimave të epidemisë.
Pra, varret po tregonin një realitet që regjistrat zyrtarë nuk po arrinin ta pasqyronin.
Edhe dokumentet e gjendjes civile në Mongbwalu dëshmojnë një rritje të jashtëzakonshme të vdekshmërisë.
“Nëse shoh me kujdes tremujorin e dytë, rezulton se në regjistrin tonë janë regjistruar vetëm 51 lindje. Ndërsa nga muaji prill deri në qershor, kam regjistruar gjithsej 190 vdekje.”
Por edhe këto shifra nuk tregojnë të gjithë historinë. Përgjegjësi i gjendjes civile thotë se shumë familje nuk i raportojnë vdekjet dhe se shumë trupa varrosen pa u regjistruar fare.
Në një qytet ku minierat e arit tërheqin punëtorë nga pjesë të ndryshme të vendit, shumë prej të cilëve nuk kanë familjarë pranë, gjurmimi i çdo vdekjeje bëhet edhe më i vështirë.
“Këtu në Mongbwalu, shumë fëmijë nuk regjistrohen në gjendjen civile. Edhe shumë të vdekur varrosen pa më njoftuar mua, si përgjegjës i regjistrit civil. Nuk mund të bëj asgjë. Shpesh kalojnë kortezhe mortore dhe unë nuk mund t’i ndaloj, sepse kam frikë se do të më akuzojnë se jam unë shkaktari i vdekjes së atij personi.
Për të shmangur kërcënimet dhe konfliktet, i lë të vazhdojnë rrugën. I them vetes: lërini të varrosin të vdekurit, më mirë sesa të krijojmë përplasje. Nuk mund të bëj mrekulli me njerëz që nuk duan të vijnë në zyrë. Vetëm dy ose tre persona paraqiten për t’i regjistruar vdekjet. Kur sheh se në tremujorin e parë janë raportuar vetëm dhjetë vdekje për gjithë Mongbwalu-n, kupton sa e ndërlikuar është situata.”
Por kur nisën të shfaqeshin shenjat e para të katastrofës? Dhe pse virusi u identifikua vetëm pasi numri i viktimave ishte rritur ndjeshëm?
Në spitalin e përgjithshëm të Mongbwalu-së, drejtori mjekësor Richard Lokudu kujton javët e para të muajit maj. Pacientët mbërrinin në spital në gjendje të rëndë. Disa prej tyre vinin tashmë të vdekur, ndërsa të tjerë paraqisnin simptoma që ngjanin me ato të malaries ose etheve tifoide.
“Nëse epidemia u shpall zyrtarisht më 15 maj, kjo ndodhi pikërisht sepse numri i vdekjeve ishte rritur përtej niveleve të zakonshme. Kishim një rritje eksponenciale të rasteve fatale. Por kjo rritje kishte nisur edhe më herët. Në zonën tonë shëndetësore dhe në spital kishim vënë re që në fillim të majit, që në javën e parë, një situatë të pazakontë.”
Sipas Lokudut, gjatë muajit maj numri i vdekjeve u rrit me shpejtësi. Në spital mbërrinin gjithnjë e më shumë pacientë me simptoma të ngjashme, por gjendja e tyre përkeqësohej shumë shpejt.
“Kishim vënë re një rritje eksponenciale të vdekjeve gjatë muajit maj. Njerëzit mbërrinin në spital tashmë të vdekur, ndërsa shumë të tjerë vinin me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes. Në atë moment ende nuk e kuptonim se për çfarë bëhej fjalë, por e dinim se kishte një problem. Ndoshta një problem që ende nuk e njihnim. Pikërisht atëherë u dha alarmi.”
Deri në shpalljen zyrtare të epidemisë, autoritetet shëndetësore lokale kishin regjistruar tashmë 100 vdekje të pashpjeguara në Mongbwalu gjatë gjashtë javëve pararendëse. Shumë prej viktimave kishin shfaqur simptoma të lidhura me Ebolën, sipas një raporti të Ministrisë së Shëndetësisë, të siguruar nga Reuters.
Shumë prej tyre ishin varrosur pa u testuar kurrë.
Tragjedia nuk u kufizua vetëm në Mongbwalu. Ndërsa numri i vdekjeve rritej, shumë banorë nisën të largoheshin nga qyteti. Disa u drejtuan drejt Bunias, kryeqytetit të provincës Ituri, dhe qyteteve të tjera të mëdha të rajonit.
Kjo lëvizje e popullsisë rrezikonte ta vështirësonte edhe më shumë gjurmimin e rasteve të reja dhe të kontakteve të personave të infektuar.
Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se mosregjistrimi i viktimave nuk është thjesht një problem statistikor. Çdo vdekje që mungon në regjistra mund të fshehë një zinxhir të tërë transmetimi. Dhe sa më pak raste të identifikohen, aq më e vështirë bëhet frenimi i epidemisë.
Investigimi i Reuters është përpjekja e parë e detajuar për të matur përmasat e vdekjeve që mund të jenë lënë jashtë bilancit zyrtar.
Gjetjet përputhen me vlerësimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila që në korrik sugjeroi se epidemia mund të ishte dy deri në katër herë më e madhe nga sa tregonin të dhënat e disponueshme. (A2 Televizion)