Pensionistët nuk detyrohen më të dëshmojnë se janë gjallë për t'i marrë pensionet

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 15:44 | Ekonomi

Pensionistët nuk detyrohen më të dëshmojnë se janë

Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme dhe i ka shfuqizuar nenet e një udhëzimi administrativ që obligonte pensionistët të paraqiteshin në departamentin për pensione për të dëshmuar se janë gjallë, ose në të kundërtën përballeshin me humbje të pensioneve.

Supremja tha se ka pranuar kërkesën e paditësit E.Sh., ndaj Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Departamentit të Pensioneve.

Sipas gjykatës, paragrafët në udhëzimin adminsitrativ për procedurat e lajmërimit, suspendimit dhe pagesat dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve, që parashihnin pasoja për pensionistët, siç është ndalja e pensioneve, nuk janë në harmoni me ligjin.

Supremja tha se i takon Ministrisë që të monitorojë dhe identifikojë nëse një pensionist ka vdekur.

“Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur", tha Supremja.

"Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit”, u shtua në njoftim.

Në aktgjykimin për këtë rast thuhet se suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit dhe jo e para.

“Për këtë arsye, gjykata konstaton se dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë moslajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe i shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit”.

Sipas vendimit, Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti nuk ka asnjë element që i japin kompetenca Ministrisë që të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast moslajmërimi.

Deri më tani, pensionistët janë obliguar që çdo gjashtë muaj të paraqiten fizikisht në Departamentin për Pensione për të dëshmuar se janë gjallë dhe për të mos humbur pensionet.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se ky vendim i Supremes është “jashtëzakonisht i rëndësishëm” pasi barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve.

“Çfarë hapi i madh për mbrojtjen e të drejtave sociale, sigurinë juridike dhe parimin se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit, jo e para”, shkroi ai.

Pensioni i moshës në Kosovë është 150 euro, ndërkaq pensioni kontributpagues, aktualisht, sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht nivelit të arsimimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos