Një kontroll i befasishëm i Policisë së Kosovës në një autobus urban që zakonisht përdoret nga nxënësit e shkollave në Ferizaj ka befasuar efektivët.
Teksa policia ka hyrë brenda autobusit që qarkullon nga Ferizaj në drejtim të fshatrave Doganaj- Greme dhe Gaçkë, në dyshemenë e tij janë gjetur disa thika, një pistoletë dhe një përforcues grushti që nuk dihet se kujt i përkisnin.
“Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht me nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur: një armë zjarri, dy thika dhe një ‘Boks hekuri’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin. Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar një rast për hetim ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’, shkruhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, policia siguron qytetarët se kontrolle të ngjashme do të kryhen dhe në ditët në vijim në linja të tjera urbane që përdoren kryesisht nga nxënësit e shkollave të mesme. (A2 Televizion)