Mickoski shfajësohet për incidentin, Kurti del kundër presidencës: Nuk ishte provokim ndaj Osmanit

Nga Rosalba Bejdo
5 Gusht 2024, 14:58 | Kosova

“Na vjen keq, nuk do të përsëritet!” Ka qene ky reagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut lidhur me incidentin ne aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani.

Gjatë një konference për shtyp, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëritet, teksa theksoi se dy shtetet kanë raporte të mira dypalëshe.

Sakaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili deri më tani nuk ishte shprehur lidhur me ngjarjen në Aeroportin e Shkupit, tha se gjatë takimit autoritetet maqedonase kishin shprehur sërish keqardhjen për ngjarjen ku u përfshi Osmani.

Ai shtoi më tej se po priste një raport pas hetimit zyrtar që do të zbardhte atë që kishte ndodhur.

Megjithatë edhe pse presidenca e ka cilësuar incidentin një provokim, Kurti tha se ky nuk ishte qëndrimi zyrtar i institucioneve në Kosovë.

Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u zhvillua teksa raportet mes dy shteteve janë acaruar për shkak të incidentit të ndodhur më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenca kosovare ka pretenduar se një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Më pas, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit. Deri më tani Kurti nuk kishte komentuar lidhur me ngjarjen, ndërsa analistët flasin për mosmarrëveshje të ndryshme mes tij dhe presidentes Osmani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos