“Asociacionin nuk e dërgojmë në kushtetuese”, Konjufca kritikon ashpër BE: Po e trajton Kosovën jo si një shtet

Nga Xhevahir Qardaku
28 Tetor 2024, 18:44 | Politikë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pati kritika të ashpra në drejtim të Bashkimit Europian. Fillimisht konfirmoi se drafti për asociacionin nuk shkon në Kushtetuese, ndërsa akuzoi Brukselin se po shkel të drejtat e vendit të tij si një shtet i pavarur.

“Nëse mendon dikush se ky është një dokument përfundimtar i cili për Kosovën është merre ose lerë. Atëherë kjo me përkthyer i bie që Kosovës i është marrë një ingirencë shumë e rëndësishme shtetërore, të cilën e ka të garantuar edhe me procesin e negociatave dhe marrëveshjet ndërkombëtare që i kemi arritur deri tash. Nëse i referohemi ka bazë edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet. Kjo është kompetenca që Kosova vet me propozu draftin. S’mundet në vend të Kosovës me propozu draftin e Asociacionit, Bashkimi Evropian. Kjo i bie që Bashkimi Evropian me ia grabit një kompetencë shtetërore Kosovës”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Më tej shtoi dozën e akuzës duke theksuar se Bashkimi Europian ka një qasje diskriminuese ndaj Kosovë.

“Me ia imponuar Kosovës në këtë mënyrë, me thënë se ky është dokumenti, vetëm ky, 20 faqesh dhe s’ka tjetër, vetëm ky duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj që jo që nuk është e drejtë ndaj Kosovës, por mendoj se është një qasje shumë diskriminuese e BE-së, i cili Kosovën e trajton si një jo-shtet. Prandaj Kosova duhet të mbrojë të drejtën e vet deri në fund”, u shpreh Konjufca.

Kurse sa i përket kërkesës së BE-së në Raportin e Progresit që pritet publikohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryetari i Kuvendit ka theksuar se ajo është shpallur e “vdekur” nga Serbia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos