Bashkimi Europian konfirmon se nuk do të ndajë mjetet e parafinancimit për Kosovën dhe Serbisë, që kanë nisur të jepen në bazë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Një zëdhënës i Komisionit Europian tha se procesi për Prishtinën dhe Beogradin po vazhdon dhe parakushti për t’i marrë këto mjete është që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizim të marrëdhënieve.
“Mund ta konfirmojë se në këtë fazë nuk ka parafinancim për Serbinë dhe Kosovën. Më herët, këtë javë dhe javën e kaluar, u bë parafinancimi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por, procesi po vazhdon për Kosovën e Serbinë”, tha Guillaume Mercier, zëdhënës i BE
Zëdhënësi shtoi se në këtë fazë nuk mund të konfirmojë nëse parakushti për Kosovën dhe Serbinë në aspekt të normalizimit të marrëdhënieve është plotësuar.
“Në procedurat për Planin e Rritjes, ka parakusht kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën, e që është të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Në këtë fazë s’mund të konfirmoj nëse parakushti është plotësuar apo jo. Do të shpjegohet kur të merret një vendim sa i përket parafinancimit”, shton Mercier.
Kosova përveç kësaj, për t’i përfituar mjetet e BE-së duhet të ratifikojë në Kuvend marrëveshjen me BE-në. Për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit ende nuk është arritur të konsistituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re.
Kosova pritet që të përfitojë rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në total ky plan për rajonin ka vlerën e 6 miliardë euro, nga kjo shumë 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. (A2 Televizion)