BE “seriozisht e shqetësuar”, PZAP i jep të drejtë listës serbe për rezultatin

Nga Ideal Gola
3 Shkurt 2026, 19:14 | Politikë

Mosmiratimi i rezultatit të zgjedhjeve për Listën Serbe nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka ngjallur reagime të shumta.

Ambasada Amerikane deklaroi se ky veprim “minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës” ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur "shqetësime serioze" duke kërkuar depolitizimin e punës së KQZ-së.

Në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit, Lista Serbe mori rreth 43 mijë vota ose 9 nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

KQZ miratoi rezultatet përfundimtare për 23 subjekte politike por jo për Listën Serbe, pasi anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër ndërsa përfaqësuesit e partive të tjera shqiptare abstenuan.

“Ne mendojmë që vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendim i paligjshëm për faktin se dispozitat e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme nuk njohin mundësinë që të ndahet votimi sa i përket subjekteve politike veç e veç lidhur me rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI

Lista Serbe i është drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që duhet të marr një vendim për këtë rast gjatë kësaj jave.

“Faktikisht me rregulloren e saj të punës, por edhe me rrgeulloren për ankesa dhe parashtresa, PZAP ka mundësi ta urdhërojë KQZ ta ndryshojë vendimin preliminar mbi mosvotim të rezultatit për subjektin Lista Serbe, ose edhe e ka mundësinë që PZAP vet në mënyrë meritore ta detyrojë KQZ që ta njohë gjithashtu rezultatin e shpallur lidhur sikurse për subjektet e tjera parlamentare ashtu edhe për subjektin Lista Serbe”, u shpreh Bugaqku.

Përpos rastit të Listës Serbe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të shqyrtojë edhe 6 ankesa të tjera. Palët e pakënaqura me vendimin e PZAP mund t’i drejtohen më pas Gjykatës Supreme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos