Policia interviston të dyshuar për manipulim të votave në Viti

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2026, 13:26 | Politikë

Policia interviston të dyshuar për manipulim të votave në

Policia e Kosovës po interviston të dyshuar në Komunën e Vitisë për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

“Policia e Kosovës me autorizime të Prokurorisë Themelore në Gjilan ka filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në regjionin e Gjilanit”, tha për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, duke shtuar se konkretisht bëhet fjalë për Komunën e Vitisë.

Kadriu nuk saktësoi se sa persona po intervistohen nga Policia më 3 shkurt.

Deri më tani, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave janë ndaluar dhjetëra persona në disa rajone të Kosovës dhe janë intervistuar qindra të tjerë.

Hetime po zhvillohen në Prizren, Malishevë, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e ka cilësuar procesin e 28 dhjetorit si ndër proceset “më të kompromentuara”, pasi u vërejtën mospërputhje të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë pas një rinumërimi të pjesshëm të urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, Komisioni urdhëroi rinumërim të plotë të votave që përfundoi në fundjavën që shkoi.

Pula është shprehur se edhe kandidatëve që u ishin shtuar votat do të jenë objekt i hetimit, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj ndonjërit prej tyre kanë nisur procedura hetimore.

Pas përfundimit të rinumërimit, më 31 janar KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare. Pas kësaj, kandidatët dhe partitë kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme.

Vetëm pas përfundimit të afateve për ankesa në këto dy institucioneve, mund të bëhet certifikimi i rezultateve, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke marrë 51.10 për qind të votave dhe do të ketë 57 deputetë në Kuvendin e ri të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 20.19 për qind të votave, apo 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind dhe do të ketë 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë deputetë.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë./REL

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos