
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përmes po postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se edhe partitë e tjera politike të Kosovës mbajtën qëndrime dinjitoze gjatë fushatës, për respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Po ashtu Berisha shkruan se këto zgjedhje treguan se në Kosovë ka garë të lirë dhe demokratike, shkruan A2 CNN.
Kreu i PD nuk harroi të akuzonte kryeministrin Edi Rama për pengim të procesit të rregullt zgjedhor në Shqipëri.
Postimi i Berishës:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! #sb (A2 Televizion)