Lajmi i publikuar në median serbe për gjetjen e një dakordësie mes Beogradit dhe Tiranës, për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër ka krijuar debat. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë shpjegoi se lëshimi është pranuar, për të marrë në këmbim konsullatën shqiptare në Luginën e Preshevës por ende nuk ka një vendim.
Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare. Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet.
Hapja e një konsullate bëhet kur një vend ka komunitet të madh diaspore të hershme apo të re; ka interes ekonomik e tregtar të konsiderueshëm në atë zonë; ka flukse turistike domethënëse në të dyja drejtimet; dhe kur marrëdhëniet politike/diplomatike janë aq të zhvilluara sa të justifikojnë prani shtesë, përtej ambasadës. Hapja e një konsullate të Serbisë në Shkodër nuk reflekton asnjë nga këto elementë, dhe vendos tinëzisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Kritika vijnë edhe nga socialistët, si në rastin e ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati.
Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë.
Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko, thotë se krahasimi është më shumë se ironi.
“Konsullata në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën! Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes!… Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standard! Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër! Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë!”
Këto shqetësime, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha i sheh me habi. Për të, politika e jashtme e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane. (A2 Televizion)