Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës tentuan edhe sot që t’i bllokojnë hyrjen kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e qeverisë. Ata pyetën punonjësit e ndërtesës “a ka ardhur kryeministri?”, më pas e riformulojnë atë duke thënë “deputeti Kurti, a është këtu apo jo?”.
Nga përgjigja që morën, deputetët e PDK theksojnë se Kurti nuk kishte ardhur ende dhe se do e presin para ndërtesës. Gjithashtu kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të kuvendit.
Deputeti Arben Mustafa u tregua më i ashpër, ndërsa e akuzoi Albin Kurti për “uzurpator” të postit të kryeministrit dhe arsyetoi duke thënë se nuk mund t’i ushtrojë njëkohësisht detyrën e deputetit dhe atë të shefit të qeverisë.
Në të njëjtën gjuhë foli edhe ligjvënësi tjetër i PDK-së, Enver Hoxhaj. “PDK nuk zmbrapset. Liroje zyrën o deputet uzurpator”, ka shkruar ai në rrjete sociale duke ndarë video nga aksioni pranë kryeministrisë. (A2 Televizion)