
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar për cenim të rendit kushtetues për shkak të mosvazhdimit të punimeve të Kuvendit. Sipas tij deputetët e AAK-së janë paraqitur në Kuvend me ftesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, për të ushtruar mandatin e tyre, me qëllim të kërkimit të vazhdimit të seancës konstituive
Ai e cilësoi bllokimin e Kuvendit si cenim të sovranitetit dhe të së drejtës së qytetarëve për t’u përfaqësuar përmes institucioneve të zgjedhura.
“Sovraniteti i takon popullit dhe institucioneve të zgjedhura. Ne jemi të zgjedhurit e qytetarëve. Bllokimi i Kuvendit të Kosovës është cenim i sovranitetit, rendit kushtetues dhe demokracisë”, deklaroi Tahiri.
Tahiri pretendoi se janë shkelur disa nga dispozitat që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të Kuvendit, duke përmendur nenin 66 të Kushtetutës, një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, nenin 140 dhe dispozitat e Rregullores së Punës për mbajtjen e seancave.
Ai paralajmëroi se, sipas tij, çdo arsyetim për mosvazhdimin e procesit nuk mund të përdoret për të penguar ushtrimin e mandatit të deputetëve.
“Çfarëdo justifikimi është tentim për të bllokuar votën e lirë të qytetarëve që ne përfaqësojmë”, tha Tahiri.
AAK dhe PDK kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe funksionalizimin e Kuvendit, në një kohë kur procesi i konstituimit të institucioneve vazhdon të jetë i bllokuar. (A2 Televizion)