Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar ku do ta përfaqësojë vendin në samitin e katërt të Komunitetit Politik Europian.
Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se presidentja Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë të shteteve europiane, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim të adresimit të çështjeve më urgjente për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve anekënd Europës.
Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të Komunitetit Politik Europian, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë "Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja". Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë europianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe Kryeministri Keir Starmer. (A2 Televizion)