“Të përfshihen dhe kushtet e Kurtit”, skepticizëm për letrat e Bislimit dhe Petkoviç në BE

Nga Xhevahir Qardaku
15 Korrik 2024, 20:06 | Politikë

Letrat e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë nuk pritet që të zhbllokojnë ngërçin e krijuar në zbatimin e marrëveshjes së normalizimit. Analistët për A2 CNN shprehen skeptikë për opinionet e Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç që do të dorëzohen në duart e ndërmjetësuesve të Bashkimit Europian.

“Edhe pse jam skeptik që do të ketë rezultat edhe kjo përpjekja e re e BE, për arsye se Lajçak për 4 vite vetëm se normalizim nuk ka arritur të bëjë mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi në një gjendje jo normale”, shprehet analisti Fidan Ukaj.

Kërkohet që në rrugën përpara të përfshihen edhe kushtet e kryeministrit Albin Kurti; përkatësisht; nënshkrimi i Marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve, tërheqja e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte ujdinë dhe dorëzimi në Kosovë i Millan Radoiçiç, i dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

“Me të drejtë kryeministri kërkon nënshkrimin e atij akordimi sepse një letër e dërguar në BE nga ish-kryeministrja Bërnabiç ka treguar se Serbia do të jetë selektive në impelemtimin e marrëveshjeve”, thotë Ukaj.

Ndërsa sa i përket zbatimi të planit në bazë të renditjes së pikave, sipas dakordimit të Ohrit, Ukaj mendon kështu: “Këtu ka qenë edhe gabimi kryesor, lënia në dorë e facilituesve për me i përzgjedh temat dhe jo kërkesa i palës kosovare që marrëveshja të zbatohet në kronoligjinë e saj ashtu siç edhe është shkruar. Nxjerrja e pikës 7 nga marrëveshja e ka bllokuar procesin dialogues”, thotë analisti.

Brukseli po përpiqet që palët të bien dakord për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Deri më tani, qëndrimet ishin plotësisht të ndryshme.

Kosova nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me pranimin e integritetit territorial të Kosovës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos