Hapi i fundit drejt konstituimit, Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për të zgjedhur nënkryetarin serb

Nga A2 CNN
30 Gusht 2025, 11:28 | Politikë

Hapi i fundit drejt konstituimit, Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për një përpjekje të re për ta emëruar nënkryetarin e vet nga pakica serbe - hapi i fundit i nevojshëm për konstituimin e Kuvendit përfundimisht.

Në fillim të kësaj jave u duk sikur Kosova do të bëhej me Kuvend të ri më në fund pas një ngërçi të gjatë pas zgjedhjeve të shkurtit, sepse zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarët.

Megjithatë, partitë parlamentare kanë hasur sërish në mospajtime për votimin e nënkryetarit nga pakica serbe në Kuvend.

Në prag të seancës së sotme, që nis në orën 11:00, nuk ka shenja se ka pajtueshmëri për ta zgjedhur nënkryetarin e pestë të Kuvendit përmes votimit ndaras për nënkryetarët nga pakicat, i cili ka nxitur dyshime se mund të jetë shkelur Kushtetuta e vendit, pasi në të kaluarën ata janë votuan në një pako.

Juristët vlerësojnë se një gjë e tillë është kundërkushtetuese, por se për ta konfirmuar këtë dikush duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Seanca e sotme pritet të vazhdojë aty ku ka mbetur dy ditë më parë, te zgjedhja e nënkryetarit përmes hedhjes së shortit për kandidatët.

Përveç Nenad Rashiqit që ka vetëm edhe një shans, janë vetëm edhe dy deputetë të tjerë të Listës Serbe që pritet të hidhen në votim, Miljana Nikolliq, që mund të dalë tri herë në votim, dhe Igor Simiq dy herë.

Një ditë para seancës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive parlamentare ta gjejnë një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën e vendit për t’i themeluar Kuvendin dhe Qeverinë e re sa më parë që jetë e mundur.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse, duke i lënë mbrapa Partinë Demokratike të Kosovës me 24 ulëse; Lidhjen Demokratike të Kosovës me 20, Listën Serbe me 9, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8.

Ndërsa 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Si erdhi deri te shorti për nënkryetarët nga pakicat?

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur për këta dy nënkryetarët nga pakica serbe dhe ato joserbe votohej në pako, këtë vit votimi është ndarë. Juristët vlerësojnë se një gjë e tillë është kundërkushtetuese, por se për ta konfirmuar këtë dikush duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesja e komuniteteve të tjera joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiqin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç disa deputetëve të tjerë të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.

As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme kur u hodh në votim dy herë.

Rregullorja parasheh që “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.

Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.

Nuk është e qartë gjithashtu se çfarë do të ndodhë nëse të gjithë kandidatët e hedhur në votim nga tri herë nuk arrijnë t’i marrin votat për t’u zgjedhur dhe Kuvendi dështon ta ketë nënkryetarin e pestë.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dispozitë që lejon votimin e ri nga fillimi për të njëjët kandidatë.

“Nëse asnjë kandidat nuk merr 61 vota, atëherë vijmë në një situatë të re, që nënkupton se Kuvendi ka dështuar të konstituohet. Nuk ka dispozitë që lejon votimin e ri nga fillimi për të njëjtët kandidatë”, tha Miftaraj.

Lista Serbe tashmë ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me ankesë.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se “po bëhet gjithnjë e më e qartë se vendi po shtyhet me vetëdije drejt një krize të re kushtetuese, edhe më të thellë se ajo për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos