
Komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutaş, vizitoi Serbinë dhe tha se komunikimet rregullta me ushtrinë serbe janë të rëndësishme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.
Gjatë vizitës në Serbi, Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutaş u takua me kreun e ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Millan Mojsilloviq. "Komunikimet e rregullta dhe të hapura mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë janë vitale për të adresuar zhvillimet e rëndësishme dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përshkallëzimit me kohë, në mënyrë të duhur, transparente dhe konstruktive. Në javët dhe muajt në vijim, unë do të bëj pjesën time për t'u siguruar që të vazhdojmë t'i shfrytëzojmë sa më mirë këto komunikime të rregullta”, tha gjeneralmajori Ozkan Ulutaş në një deklaratë për media.
Ulutaş e falënderoi për mikpritjen gjeneralin serb Millan Mojsilloviqin, me të cilin tha se "veçse ka zhvilluar një bashkëpunim të hapur dhe frytdhënës gjatë mandatit tim të parë në krye të KFOR-it. Mezi pres të takohem sërish me të, së shpejti”. Komandanti i KFOR-it tha se misioni që ai drejton, "është i angazhuar për të ofruar siguri që mundëson krijimin e kushteve të nevojshme për dialog politik”.
Misioni i KFOR-it rol kyç në mirëmbajtjen e paqes
"NATO, përfshirë përmes punës së përditshme të KFOR-it, vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për të adresuar çështjet e mbetura me qëllim që të përfitojnë të gjithë njerëzit”, tha Ulutaş. Sipas komandantit të KFOR-it, "ky mision për çerek shekulli ka luajtur rol kyç në mirëmbajtjen e paqes dhe duke ofruar siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë. Siguria në rajon, është e lidhur me sigurinë e Evropës dhe në mbarë zonën euroatlantike”.
Forcat Paqeruajtëse të KFOR-it janë reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi EULEX. Në KFOR aktualisht janë mbi 4 mijë paqeruajtës nga vende të ndryshme të botës. Aleanca veriatlantike NATO shtoi trupat e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në vitin 2023, në fshatin Banjska afër Zveçanit në veri të Kosovës, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i listës Srpska, për të cilin tashmë ka një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Një vit më parë, një sulm tjetër ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, kanal ky sipas autoriteteve kosovare i rëndësisë së veçantë që furnizon me ujë Termocentralet e Kosovës dhe një pjesë të madhe të Kosovës për ujitje.
Akuzat e prokurorisë për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit
Prokuroria Speciale e Kosovës dy ditë më parë ngriti aktakuzë ndaj tre serbëve të Kosovës, vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, dhe një tjetri Igor Dimiq, të cilët akuzohen për "rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Gjykimi ndaj tre të akuzuarve për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit është caktuar që të nisë më 24 dhjetor.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, përmes një deklarate për media pas ngritjes së kësaj aktakuze tha se siç e ka theksuar edhe një vit më parë, "në bazë të informacioneve që kam marrë nga institucionet e sigurisë, sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”.
"Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për këtë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast. Mund t'ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit”, shkroi Kurti. Ai shtoi se procesi gjyqësor do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist”. Në të dy rastet, edhe për sulmin e vitit 2023 në Banjska edhe për shpërthimin në Ibër-Lepenc, autoritetet e Serbisë e kanë mohuar përfshirjen./ DW (A2 Televizion)