
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që qytetarët me të drejtë vote mbi moshën 80 vjeç, të cilët aplikojnë për t’u regjistruar si votues me nevoja të veçanta për të votuar përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve, nuk kanë nevojë të paraqesin certifikatë apo diagnozë mjekësore.
Fillimisht propozimi ishte që personat mbi moshën 75 vjeç të mos u kërkohet dëshmia mjekësore, por pas diskutimeve në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u vendos mosha 80 vjeç.
Duke u mbështetur në të dhënat nga lista votuese e certifikuar nga KQZ, numri i qytetarëve me të drejtë vote mbi 80 vjeç, është 48,977 votues.
Arianit Elshani nga Këshilli për Operacione Zgjedhore, tha se përmes këtij propozimi po synohet që personat mbi 75 vjeç të mos ia bashkëngjisin aplikimit për t’u regjistruar si votues me nevoja të veçanta.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha senë rast se ka aplikime në numër të madh për votim nga shtëpia do ta cenojë numrin e fletëvotimeve që janë në dispozicion.
Ai tha se janë mbi 100 mijë votues që i takojnë moshës mbi 75 vjeç.
Kurse, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi deklaroi se ndryshimi nuk është problematik nëse respektohen detyrimet institucionale.
Ndërsa, Sami Hamiti anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës u dakordua që zgjidhja më e mirë është mosha mbi 80 vjeç.
Po në këtë mbledhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi grupin e parë me 283 vëzhguesë për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Besnik Buzhala, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se janë 17 organizata vëzhguese të cilat kanë aplikuar dhe i plotësojnë kriteret ligjore.
Prej tyre tri janë Organizata Joqeveritare, tri ambasada dhe 11 media.
Sqarime rreth akreditimit apo jo të Institutit të Kosovës për Drejtësi si vëzhgues në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Elshani tha se kërkesa është në trajtim e sipër./Kosovapress
(A2 Televizion)