Kosova ndodhet përballë një krize politike dhe institucionale. Kjo pasi partitë politike nuk kanë arritur të krijojnë shumicën qeverisëse. KQZ bën me dije për mediat në Kosovë se 24 subjekte politike nuk kanë mundur të kalojnë as pragun prej 5 për qind për të hyrë në Kuvend. Kjo bën që qeverisja e re e Kosovës të jetë e brishtë dhe e rrezikuar nga zgjedhjet e tjera.
Njëzet e katër subjekte, koalicione, apo kandidatë të pavarur, që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, nuk e kaluan pragun zgjedhor prej 5 për qind. Në mesin e tyre janë katër që përfaqësojnë komunitetin shumicë shqiptarë dhe në total - sipas rezultateve preliminare – shkojnë gati në 21 mijë vota. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë për KosovaPress se ky institucion certifikon rezultatet e secilit subjekt politik apo kandidatë që ka marr pjesë në zgjedhje, edhe kur nuk e kalojnë pragun, ndërsa shton se ligji përcakton se në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet për secilin subjekt politik dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Pra, KQZ certifikon rezultatet e subjekteve politike, ku përfshihet numri dhe përqindja e votave të fituara edhe në rastin kur ato nuk e kalojnë pragun e paraparë prej 5%. Sipas ligjit, në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë Elezi.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor nuk kanë asnjë rëndësi në përcaktimin e ulëseve të reja në Kuvend.
“Votat e subjekteve që nuk e kanë kaluar pragun nuk shpërndahen tek subjektet tjera që kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës sepse në momentin kur ti e kalon pragun prej 5%, me automatizëm ty të ndahet formula e ndarjes në parlament. Dikush i ka 5.5%, i merr 7 ulëse, dikush 25% i merr ndoshta 30 deputetë. Kjo ndarja e 100 vendeve bëhet për subjektet që e kanë kaluar pragun zgjedhor, jo për ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë ai.
Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu kujton se më herët ishte praktikë që votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5% të shpërndahen te partitë që kanë arritur të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor, partitë pra, apo kandidatët e pavarur ose subjektet politike….me ligjin paraprak para këtij plotësim-ndryshimi janë rivendosur dhe janë dhënë dhuratë sipas sistemit të rotacionit prej partisë më të madhe, të dytës, të tretës partive politike që kanë marr mandate. Por është deklaruar se tani më ato vota nuk mund të llogariten”, thotë Baraliu.
Sipas rezultateve aktuale, në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%. (A2 Televizion)