Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje: E dëmshme për demokracinë, reagimi i BE i pamjaftueshëm

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2025, 20:19 | Politikë

Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje: E dëmshme për

Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës është e dëmshme për demokracinë e vendit. Kështu komentohet presioni i Beogradit zyrtar për votimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.  

Ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agder-it në Norvegji, Abit Hoxha thotë për Kosova Press se ndërhyrja e Serbisë është e vazhdueshme, ndërsa kritikon bashkësinë ndërkombëtare për lejimin e diçkaje të tillë, përcjell A2. 

“Çështja e Listës Serbe dhe forcimi i Listës Serbe i konvenon vetëm Serbisë. Edhe kjo është konsekuenca e parë. Konsekuenca e dytë për institucionet e Kosovës është se forcimi i Listës Serbe ndoshta mund të krijojë një ‘king maker’ të ri në krijimin e qeverisë, por nëse jo ashtu do të krijojë një barrierë të brendshme në institucionet e Kosovës e cila gjithmonë do të përfaqësojë interesin e shtetit serb në Kosovë... Nëse bashkësia ndërkombëtare do të kishte parime pak më të theksuara në Ballkan nuk do të lejonte këso intervenimesh, apo të paktën do të tërhiqte vërejtjen OSBE ose institucione të tjera që merren me zgjedhjet - Këshilli i Evropës dhe tjerat që të mos bëhet në mënyrë të vazhdueshme”, shton ai.

Të pamjaftueshëm e konsideron reagimin e Bashkimit Evropian për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS): “Nuk mjafton [reagimi] sepse reagimi i parë do të duhej të vinte nga institucionet e Kosovës. Ne nuk kemi parë asnjë reagim as nga presidenca, as nga Zyra e Kryeministrit apo nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët do të duhej të reagonin ndaj shkeljeve sistematike që po i bëhen marrëveshjes së Ohrit. Dhe duhet ta kuptojmë se sa herë që faktori ndërkombëtar kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ata e bëjnë këtë bazuar në marrëveshjen e Ohrit dhe kanë të drejtë ta kërkojnë sepse po është pjesë e marrëveshjes. Mirëpo, shkelja sistematike e kësaj marrëveshje nga ana e Serbisë do ta bënte themelimin e Asociacionit në këtë kohë një projekt potencialisht të dëmshëm për sovranitetin e Kosovës”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi pak ditë më parë duke thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e rregullta të Kosovës. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, e akuzoi ambasadorin për njëanëshmëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos